Në prag të festave të fundvitit janë gati edhe shtëpitë e fundit për të mirëpritur familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës së bashku me kryeministrin, Edi Rama inauguruan sot shtëpitë e reja në Baldushk, të cilat janë më të forta, më të bukura e më të mëdha se shtëpitë që që u dëmtuan nga tërmeti.
Kryebashkiaku Veliaj tha se: “Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një qeveri, sidomos në një vend si i yni, me të ardhura modeste, të thoshte: Çfarë u dëmtua nga tërmeti, do ta kompensojmë 100% më të madhe, më të bukur dhe më të fortë, duke përfshirë të gjithë infrastrukturën, shkolla, kopshte, çerdhe, por mbi të gjitha shtëpitë e njerëzve që u goditën pabesisht nga tërmeti. Por që unë besoj në mënyrën më bujare, me një iniciativë të padëgjuar më përpara, arritëm që në 3 vite të kemi mbyllur shumicën më të madhe të nevojave dhe sot me 60 vila, shtëpi individuale dhe me një kompleks me 3 rrugë paralele me 29 vila që i kemi këtu, mbylli përfundimisht dramën e tërmetit në të gjithë zonën e Baldushkut.
Koinçidenca në fakt është shumë e bukur sepse sot mbyllim hallin e shtëpisë, nesër fillon festa sepse hapim tregun Baldushkut, me gjelat e Baldushkut që qartazi janë më të mirët në vend.”
Veliaj u ndal edhe te shembja e pallatit të dëmtuar në rr. “Myslym Keta”, duke theksuar se gënjeshtrat e atyre që japin mend nga vilat e Lalzit nuk duhen besuar dhe se e vëerteta është që edhe 6 nga 14 familjet e fundit janë dakordësuar dhe po vendosen në shtëpitë e reja.
“Nuk mund të rri në një ditë si e sotmja që u çuam të gjithë me rrokopujë, me lajme të rreme dhe me histeri kolektive, të rri pa sqaruar atë që ndodhi sot në Tiranë. Kishim një pallat në Tiranë, në 500 pallate që janë dëmtuar, që kemi ndërhyrë, me shumë banorë që janë futur tashmë te lagjja “5 maji”, i cili zgjodhi siç ka ndodhur rëndom, që të besonte një gënjeshtër të madhe. Që qeveria do bëjë gradaçela. Gradaçela në Tufinë, imagjinoni. Që këtu ka një teori të madhe konspiracioni, kur futen grup-seksionet e partisë që i marrin mendjen njerëzve, në fakt të vetmit që dëmtohen nuk janë partitë, ata hallet e tyre i kanë zgjidhur, janë të gjithë me vila në Lals.
Për burrat dhe gratë e këtij vendi, për fëmijët, për prindërit, për gjyshërit e për gjyshet, plani i rindërtimit në “5 maj” dhe në Kombinat, që ka hasur pengesa të padëgjuara më përpara, vetëm në Kombinat 22 gjyqe, në “5 Maj” i gjithë grupi i OFL-së që bllokonte rrugën edhe kantierin, më në fund sot kanë marrë jetë, janë futur familjet e para, përfshi edhe të atij pallati ku ishim sot. Kemi verifikuar çdo banor. Dëgjoja dikë që shante sot kryeministrin, kryetarin e bashkisë, e verifikuam, zonja në moshë merrte vetë 180 mijë lekë, merrte djali 180 mijë lekë, merrte nipi dhe mbesa 180 mijë lekë, sepse pavarësisht se rrinin në një garsonierë, marrin 540 lekë në muaj për 3 vite. Unë besoj kur ky shtet me kushtet që ka, ta paguan qiranë, ta ka bërë edhe shtëpinë tjetër gati, ti nuk mund të thuash që për ideal të partisë do vazhdosh abuzimin.
Unë nuk jam këtu që të gjykoj ata, ata janë vërtetë fatkeq.
Ftesa ime është për qytetarët e fundit dhe më vjen mirë që 6 nga 14 familjet, para se të fillonim këtë inaugurim, kanë shkuar dhe kanë firmosur në Njësinë nr 4, dakordësinë për t’u bërë edhe ata pjesë e shumicës morale, e shumicës dërrmuese. Edhe për pjesën tjetër ne do jemi hapur çdo ditë deri në fund të vitit, për t’i siguruar secilit bonusin e qirasë dhe për t’ju thënë që shteti është i tyre, bashkia është e tyre, kryeministri është i tyre, qeveria është e tyre, taksat janë të tyre. Ndaj le të mos e rrënojmë komunitetin tonë dhe të mos e bjerrim besimin tonë, por vetëm duke ecur përpara, duke punuar bashkë, duke ëndërruar dhe punuar për ditë më të mira, do ia mbërrijmë atyre ditëve dhe e sigurt që 2023 do të jetë viti ku ene e mbyllim totalisht dramën e tërmetit”, tha Veliaj.