INSTAT: Ulen aksidentet me 15.7 për qind, grupmosha e shoferëve problematikë 25-34 vjeç

Aksidentet rrugore kanë ndjekur tendencën rënëse edhe në muajin nëntor duke u ulur me 13.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave raportoi se në muajin Nëntor 2022 numërohen 92 aksidente rrugore nga 106 të ndodhura në muajin Nëntor 2021.

“Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 117 persona nga 156 në muajin Nëntor 2021. Aksidentet rrugore, në 80,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 27,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Numri i aksidenteve rrugore për këtë grup-moshë është i njëjtë me numrin e aksidenteve rrugore në Nëntor 2021”, vëren INSTAT.

Ndërkohë për njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2022, numërohen 1.060 aksidente rrugore nga 1.257 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 15,7 %. Numri i të aksidentuarve është 1.479 persona nga 1.726 persona të aksidentuar në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2021”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Shkak kryesor për aksidentet vijon të mbetet sjellja e shofereve në timon ndërkohë duket se ka një ndërgjegjësim më të madh të këmbësorëve ku aksidentet që vijnë si pasojë e sjelljes së tyre ka shënuar rënie në 11-mujorin e këtij viti.

“Aksidentet rrugore, në 13,7 % të rasteve, në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2022 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 24,9 %”, thuhet në njoftim.

Monitor

j.l./ dita

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *