Italia dhe futbolli në ankth. Vialli shtrohet me urgjencë në spital, po e mposht kanceri në pankreas

Në këto ditë që iu paraprijnë Krishtlindjeve, lajmi i tmerrshëm për vdekjen e Siniša Mihajlovic nuk mjaftoi. Edhe Gianluca Vialli është rikthyer në spital për të vijuar betejën më të vështirë, atë për jetën. Kundërshtari i tij është kanceri i pankreasit, me të cilin jeton tash e pesë vite.

Ish-sulmuesi i shquar italian, pjesë e stafit drejtues të kombëtares axurre për momentin, e quajti sëmundjen si “një mysafir të padëshiruar, një shoqërues udhëtimi që do ta kisha shmangur me dëshirë”. Fjalë të zgjedhura me kujdes për të dërguar një mesazh për ata që janë në gjendjen e tij.

Se diçka po ndodhte, për fat të keq u kuptua dukshëm të mërkurën e kaluar, kur ish-bomberi, përmes faqes së internetit të FIGC, njoftoi tërheqjen nga roli i tij si shef i delegacionit të ekipit kombëtar axurri.

Dje nga Londra, ku ish-sulmuesi u zhvendos për të jetuar vite më parë, erdhi lajmi se gjendja e tij u përkeqësua deri në atë pikë sa u detyrua të shtrohej në klinikën ku Vialli tashmë kishte kaluar dy cikle kimioterapie për pankreatin akut, që iu zbulua në vitin 2017.

Momenti është shumë delikat, prova për këtë është udhëtimi i nënës 87-vjeçare të tij, Maria Teresa, e cila u largua pasditen e djeshme nga Kremona për në Angli. Një shenjë që do të konfirmonte atë që askush nuk e dëshironte, se sëmundja ka ardhur mizorisht duke trokitur sërish në derën e Luca.

Kjo është arsyeja pse më pak se një javë më parë ish-numri 9 shprehu vullnetin për të “përdorur të gjitha energjitë psiko-fizike për të ndihmuar trupin tim ta kalojë këtë fazë të sëmundjes”.

Menjëherë ai kishte marrë mesazhe solidariteti nga shumë ish-bashkëlojtarë, lojtarë që i kishte trajnuar gjatë karrierës së tij si trajner dhe figura të njohura të futbollit e jo. Të gjithë pranë Viallit për t’i dhënë kurajo, për të luftuar përsëri…

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *