Kryeministri Albin Kurti u shpreh në një intervistë për “The Guardian” ka folur për situatën në veri të Kosovës, duke theksuar se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet gjatë.
Kurti është i ndërgjegjshëm për pasojat që mund të ketë një ndërhyrje me forcë dhe sqaron se duan të jenë sa më të kujdesshëm në këtë drejtim që të sigurohen se nuk do të ketë paqëndrueshmëri.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave mund të bëjë viktima. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria nuk do të preken. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë pafundësisht. E gjithë kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”.
Nga sa pohon Kurti, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë të një mendjeje se barrikadat duhen larguar, por druhen nga rrjedhja që mund të marrin gjërat.
“BE dhe SHBA-ja pajtohen me idenë e heqjes së barrikadave. Por ato janë gjithashtu të shqetësuara se si kjo mund të përdoret kjo situatë, e si mund të abuzohet nga Beogradi. Mendoj se partnerët dhe miqtë tanë perëndimorë i druhen kryesisht lidhjeve të Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të shtunën se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për të parë mundësitë e reagimit.
a.m/dita