Shqipëria bleu sot tre dronë Bayraktar, në një marrëveshje që u firmos në Kryeminstri mes kompanisë turke dhe Ministrisë tonë të Mbrojtjes.
Kryeministri Edi Rama ka falënderuar Turqinë për dronët Bayraktar që Shqipëria bleu ditën e sotme. Ai theksoi se dy vendet janë në anën e duhur dhe e cilësoi këtë ditë shumë të mirë për dy vendet dhe Forcat e Armatosura.
Rama tha se në Shqipëri po vjen ndër të tjera edhe një fushë e re njohurish që ka të bëjë me trajnimin e njerëzve për përdorimin e dronëve. Do të përzgjidhen më shumë se 30 persona nën kujdesin e kompanisë Bayraktar, për t’u trajnuar në kontrollin dhe vënien në funksion të mjeteve.
“Me këtë marrëveshje nuk po sjellim këtu në Shqipëri teknologjinë më të mirë të lartë në këtë fushë, por kështu do sjellim në Shqipëri një fushë të re njohurish dhe është shumë mirë që marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët por ka të bëjë edhe me ndërtimin e një ure mes FA tona dhe kompanisë bajraktar që do kujdeset për trajnimin e njerëzve, më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihëm e kompanisë Bayraktar që do vihen në një trajnim dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, tha Rama.