Veliaj thirrje banorëve të pallatit te rr. “Myslym Keta”: Mendoni për familjet tuaja, mos u përdorni

Në prezantimin e buxhetit të vitit të ardhshëm për Njësinë 10, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti PS, Fatmir Xhafaj, foli për investimet që do të prekin komunitetin, që nga ndërhyrjet në çdo lagje, deri te rikonstruksioni i shkollave.

Veç këtyre, Veliaj risolli në vëmendje situatën për Pallatin Nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, i cili është dëmtuar rëndë nga tërmeti, ku u bëri thirrje banorëve të mendojnë për më të mirën e familjes së tyre.

“Beteja e këtyre ditëve, besoj e keni vënë re, është për një pallat të dëmtuar nga tërmeti – një pallat i ndërtuar vite më parë me punë vullnetare, në ato vitet e vështira kur edhe tullat ishin skarco. Pasi u dëmtua nga tërmeti, 90% e familjeve të pallatit mori banesa të reja, më të mëdha, më të forta dhe më të bukura se sa ato që lanë, por del gjithmonë një 10%, me gishtat përpjetë, dhe thotë: Për ideal të partisë nuk dua të jetoj më mirë. Tani kam një pyetje: Kush është partia më e rëndësishme në këtë vend? Familja! Ajo është partia më e rëndësishme. Sigurisht, partitë me logo na duhen, ne garojmë me to, unë jam krenar që jam socialist, por familja është partia më e rëndësishme. Sot ka njerëz që thonë: Unë e sabotoj Edi Ramën dhe Erion Veliajn se kështu më thotë partia, por një jetë kemi. 90% e banorëve të pallatit kanë shkuar te apartamentet e reja te “5 Maji”, ikën nga një pallat i rrezikshëm”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se militantizmi partiak për të bllokuar projektet dhe punët e qytetit duhet të marrë fund. Veliaj solli në vëmendje rastin e Astirit, një projekt i bllokuar për 3 vjet, por që më në fund u lirua dhe Unaza e Madhe po mbaron.

“Saliu dhe Iliri jetojnë në Lalëz, vijnë në Tiranë për të mbjellë sherr. Kurse banorët e pallatit rrinë me gishta përpjetë atje, në kushte spartane, pa drita, pa ujë, marrin bonusin e qirasë, nuk marrin shtëpi me qira, por i fusin në xhep. Ndërkohë, shtëpia e re është bërë gati dhe pret të futen. Thirrja ime për gjithë këta njerëz është: Lërini mor partitë, mendoni për familjet tuaja! Nëse qëllon që tani është kjo parti, që quhet Partia Socialiste dhe po i bën njerëzit me shtëpi e me katandi, jepjani votën kujt të doni, por rregulloni familjet tuaja, shkoni në një vend të sigurt dhe jetoni me dinjitet. Ata të gjirit të Lalzit i kanë zgjidhur hallet e tyre. Ata thonë: O burra, ku të gjejmë dikë që ta gënjejmë. Ndaj, ato familje që kanë mbetur në atë pallat dhe nuk pranojnë të shkojnë në shtëpitë e reja po përdoren”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku shtoi se janë edhe 7 pallate të tjera në proces DS4, ku duhet ndërhyrë patjetër dhe kërkoi mirëkuptimin e familjeve për të vijuar punën për përforcimin e tyre.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *