Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kritikuar koalicionin e formuar nga partitë opozitare, i cili pritet ta dërgojë në opozitë shefin e qeverisë pas 12 vjetëve në pushtet.
“BBC” shkruan sot se, Netanyahu u bëri thirrje deputetëve të krahut të djathtë, që ta bllokojnë ardhjen në pushtet të këtij koalicioni dhe ta kundërshtojnë atë.
Ai tha se, këto parti janë majtiste dhe të rrezikshme. Më parë, ai ka thënë se, qeveria e re e propozuar është mashtrimi i shekullit dhe se, ajo i rrezikon shtetin dhe popullin e Izraelit.
Tetë parti opozitare arritën marrëveshje në orët e vona të së mërkurës, për të punuar së bashku që ta formojnë qeverinë e re. Megjithatë, këto parti kanë nevojë për votat e deputetëve për të ardhur në pushtet.
Koalicioni i partive opozitare është formuar nga Yair Lapid, kryetar i partisë Yesh Atid. Në këtë koalicion është përfshirë për herë të parë edhe Lista e Bashkuar Arabe.
/Burimi: BBC/