Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodorikakos ka reaguar në lidhje me vrasjen e dy shqiptarëve në Athinë Kreshnik Çerçizajt dhe Armando Ogranaja.
Ai ka theksuar se do të ketë një bashkëpunim ndërkombëtar për vrasjen e ndodhur tre ditë më parë, ndërsa nuk ka pranuar të japë më shumë detaje.
Sipas tij, kjo vrasje dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh mes mafies shqiptare.
“Sa i përket vlerësimit të policisë, bëhet fjalë për një larje hesapesh mes njerëzve që i përkasin mafies shqiptare, mbase ka degëzime të tjera, për të cilat mund të kemi edhe një bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk do të përgjigjem në pyetje më specifike”, ka thënë ai, duket shtuar: “Hetimet janë në vazhdim. Hetimet nuk ndalen, sidomos kur bëhet fjalë për vrasje, vetëm kur të gjendet autori” .
Mediat e Athinës shkruajnë se nga këqyrja e pamjeve filmike të vrasjes së dyfishtë në Athinë dhe vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Tiranë, krijohen dyshime se mund të jetë i njëjti ekzekutor. Autoritetet i lidhin tre vrasjet me tregtinë ndërkombëtare të drogës dhe një ngarkesë të “zhdukur” me vlerë qindra mijëra euro.
Ekzekutimi i dyfishtë në një kafe-bar të Nea Smyrna të Athinës mbrëmjen e së dielës duket të jetë një hallkë në një zinxhir më të madh krimesh. Autori vrau me gjakftohtësi dy burrat shqiptarë të njohur për autoritetet.
41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj, ishte i njohur për autoritetet për përfshirjen e tij në një sërë “degësh” të botës së krimit, nga lëndimi i rrezikshëm trupor deri te mbajtja/përdorimi i armëve dhe nga trafiku i drogës e deri te trafiku i qenieve njerëzore, në Greqi dhe Shqipëri, madje në tokë dhe det me incidente në të cilat humbën jetë njerëzish. Në zonën e Nea Smyrnia, për shkak të përfshirjes së tij në qarqet mbrojtëse, ai njihej si “Nikos Koleksionisti”.
j.l./ dita