Pikturat me temë shqiptare në Galerinë Kombëtare të Arteve të Hollandës

Prof. Dr. Refik Kadija

 

Rijks Museum Amsterdam është galeria kombëtare e arteve të bukura të Hollandës me 8000 objekte të ekspozuara nga një koleksion mbi 800-vjeçar prej 1 milion objektesh të mbledhura nga viti 1200 deri në vitin 2000.

Në katin e parë, në sallën e quajtur “Voorhal” (“Salla ballore”) janë ekspozuar disa nga kryeveprat e mjeshtrave të mëdhenj holandezë, si autoportreti i Rembrandit, autoportreti i Van Gogut, piktura të Frans Hals-it dhe të nxënësit të Rembrandit Johannes Vermeer, të mjeshtrit të madh të peisazheve detare Hendrik Willem Mesdag (kryevepra e të cilit është piktura cilindrike “Panorama Mesdag” 14 m e lartë dhe perimetër 120 m), pikturat e famëshme “Cimon dhe Pero” e nxënësit të Rembrandit Willem Drost dhe “Mjellma e kërcënuar” e Jan Asselijn-it,  etj.

Në katin e dytë – në “Galerinë e Nderit” të këtij muzeumi është ekspozuar kryevepra e famëshme e Rembrandit “Rojet e natës”. Përball kësaj pikture me famë botërore është varur një pikturë tjetër e famëshme me përmasa të mëdha “Beteja e Vaterlosë” e piktorit Jan Willem Pieneman.

Pikërisht në krah të tablosë së Pieneman-it, në anën e djathtë të “Galerisë së Nderit”, është një sallon me veprat e piktorit franko-flamand të gjysmës së parë të shekullit XVIII Jean-Baptiste Vanmour (1671-1737). Ai është i nohur për portretizimin e hollësishëm të jetës në Perndorinë Osmane gjatë të ashtuquajturës “Epoka e Tulipanëve” dhe sundimit të Sulltan Ahmetit III.

Salloni 15/3 ku janë ekspozuar pikturat e Van Mour-it.

Rijks Museum u inaugurua më 1888 dhe në fillim të shekullit XX pjesa mw e madhe e pikturave të Van Mour-it u mblodhën dhe u ekspozuan në këtë muzeum të madh kombëtar të Hollandës. Me interes të veçantë për ne shqiptarët janë 6 piktura me temë shqiptare nga ky koleksion i Van Mour-it, të cilat gjënden të ekspozuara në këtë sallon qysh më 1903. Këto piktura janë të regjistruara në katalogun e atij viti prej 67 pikturash të Van Mour-it në Rijks Museum me numrat 2395, 2396, 2414, 2424, 2425 dhe 2426. Pikturat e ekspozuara shoqërohen me diçiturat përkatëse në hollandisht dhe anglisht. Sipas shpjegimit të këyre diçiturave, katër nga këto piktura paraqesin: 1. Një bari shqiptar; 2. Një luftëtar shqiptar; 3. Një detar shqiptar; dhe 4. Një grua shqiptare të bregdetit. Piktura e pestë dhe më e bukura, me përmasa të mëdha (120 x 90 cm), të varur në anën e djathtë të hyrjes së sallonit portretizon  shqiptarin Halil Patrona me shpatë në dorë dhe shprehje triumfatori, kur ai udhëhoqi me sukses një kryengritje popullore, rrëzoi nga froni një sulltan (Sulltan Ahmetin III), duke i dhënë fund “Epokës së Tulipanëve”, dhe u bë zot absolut i Stambollit për rreth 2 muaj.

Tabloja tjetër, me përmasa 101 x 15.5 cm, e varur në anën e majtë të hyrjes në sallon, paraqet vrasjen me tradhëti të Halil Patronas dhe jeniçerëve të tij besnikë nga Sulltan Mahmuti I, nipi i sulltanit të rrëzuar.

Ndonëse i kisha gjetur në internet këto 6 piktura me motive shqiptare dhe kisha shkruar për ato në shtypin shqiptar, kisha dëshirë dhe interes të veçantë të shkoja në Rijks Museum Amsterdam dhe t’i gjeja vetë këto piktura të ekspozuara atje, aq më tepër që të paktën dy prej tyre kishin të bënin direkt me historinë e trimit të famshëm shqiptar Halil Patrona. Me 22 gusht 2022 e vizitova muzeumin në Amsterdam dhe, thuajse me ngazëllim fëminor, … I GJETA! I gjeta 6 pikturat me motive shqiptare të Jean-Baptiste Van Mour-it, njërit prej piktorëve më të shquar europjanë të shekullit XVIII, i cili mund të jetë piktori i parë europjano-perëndimor që ka pikturuar portrete dhe kostume shqiptare në fillim të shekullit XVIII.

Ja tabloja me trimin shqiptar Halil Patrona, zëvendësin e tij, pemëshitsin Muslu Beşe, dhe flamurtarin Emir Ali kafexhiu (në të djathtë të hyrjes në sallon).
Ja dhe tabloja tjetër në anën e majtë të hyrjes në sallonin e pikturave të Van Mour-it, piktura që tregon vrasjen e pabesë të Halil Patronas (duke u rrëzuar, në anën e djathtë të tablosë).

Pastaj vijnë të radhitura në vazhdim katër pikturat e tjera të ekspozuara në atë sallon me shpjegime në hollandisht dhe anglisht:

1. Woman from the Albanian coast (1700-1737) [Grua shqiptare nga bregdeti].

2. Man van de Albanese kust (Man from the Albanian coast, 1700-1737)Albanian solder, Arnaout [Burrë nga bregdeti shqiptar, luftëtar shqiptar]

3. Albanese herder (Albanian shepherd) [Bari shqiptar]

4. Een Albanese Zeeman (An Albanian Seaman) [Një marinar shqiptar]

Van Mour-i kishte lindur më 9 janar 1731 në Valenciennes, një qytet flamand i cili në atë kohë i takonte Hollandës Spanjolle. Van Mour-i studjoi për artet e bukura në Paris dhe pikturat e tij qysh në fillim tërhoqën vëmendjen e Markezit Charles de Ferriol me të cilin u miqësua dhe e shoqëroi në Stamboll kur markezi u emërua ambasador i Francës më 1699. Atje De Feriol-i e autorizoi të bënte për të njëqind piktura vaji të portreteve dhe kostumeve të kombësive të ndryshme të Ballkanit dhe Orientit që jetonin mbrenda Perandorisë Osmane, si shqiptarë, armenë, grekë, serbë, bullgarë, persianë, hungarezë, indianë, arabë. çifutë, vllehë, tartarë, persianë dhe maurë, si dhe diplomatë e tregtarë të Europës Perëndimore, etj. Përveç këtyre, Vanmour-i pikturoi skena të dasmave dhe funeraleve turke, vallëzimit të dervishëve vetrrotullues, skena të haremit, të audiencave diplomatike të sulltanit dhe skenave të tjera të jetës së përditshme në kryeqytetin otoman.  [Ai kishte miqësi edhe me piktorin e shquar francez Jean Antoine Watteau (1684-1721), gjithashtu i lindur në Valenciennes.]

Pasi De Ferriol-i u kthye në Francë më 1711, Van Mour-i vazhdoi të punonte në Stamboll për disa diplomatë të tjerë atje. Ndërkohë u krijua një seri me 102 gravura, të gdhëndura nga një grup gravuristësh francezë (Gérard dhe J.B. Scotin, P. Simonneau, C.N. Cochin, C. Du Bosc, P. de Rochefort, J. Haaussard, dhe J. de Franssieres), sipas portreteve të Van Mour-it që ai i kishte bërë në natyrë gjatë viteve 1707-1708.  Këto gravura u botuan në formë libri më 1714 në Paris nën kujdesin e De-Ferriol-it dhe piktorit francez Jacques Le Hay, të shoqëruara me tekst frëngjisht, me titullin e gjatë Recueil de cent estampes représentant différentes nations du Levant(“Koleksion i njëqind gravurave që paraqesin kombe të ndryshëm të Levantit”). Bashkangjitur është edhe një faqe (f. 103) me notat e një melodie të dervishëve rrotullues. Në këtë seri gravurash, krahas burrave të kombësive, profesioneve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë, paraqiten shumë portrete grashë në mjedise publike dhe private.

Në këtë koleksion ka vetëm 2 gravura me motive shqiptare të marra nga 6 pikturat e Van Mour-it:  gravura 60 “Dgi-Guerdgi Albanois qui porte au Bezestein des foyes de mouton pour nourrir les chats” (‘Kasap shqiptar që sjell të brendshme qëngji për macet në Pazarin e Madh të Stanbollit’) dhe gravura 78 “Soldat Albanois” (“luftëtar shqiptar”).

Ky libër me gravura u botua të paktën në 5 gjuhë dhe pati shumë sukses në Europën Perëndimore duke e rritur famën dhe prestigjin e piktorit Van Mour.

Diplomati i shquar hollandez Cornelis Calkoen, njeri me kulturë të gjërë dhe me prejardhje nga një familje shumë e pasur që bënte tregti me vendet e Levantit, u caktua Ambasador në Perandorinë Osmane në moshën 30-vjeçare dhe shkoi ne Stamboll në shtator 1726. Atje ai u miqësua shpejt me Van Mour-in dhe pas 3-4 muajve i kërkoi piktorit që të hidhte në telajo audiencën e tij me Sulltan Ahmetin III. Van Mour-i, i cili kishte bërë më parë portretin e sulltanit, ministrave dhe pashallarëve të tij, lejohej të hynte në pallatin e sulltanit gjatë këtyre ceremonive për të shoqëruar anbasadorin dhe shpurën e tij. Kështu që ai ishte i njohur me protokollin që zbatohej në pallatin mbretror për pritjet e ambasadorëve. Ai bëri disa tablo të ambasadorit Calkoen në këto pritje ceremoniale pompoze. Dy nga këto tablo i pashë të ekspozuara në sallonin e Van Mour-it në Rijks Museum. Kur Calkoen-i e përfundoi shërbimin diplomatik në Stamboll dhe u emërua ambasador i Republikës së Hollandës në Dresden, ai mori me vete shumë piktura të Van Mour-it. Pas vdekjes së Calkoen-it, koleksioni i pikturave të Van Mour-it u shpërnda andej-këtej nga trashëgimtarët e tij, derisa ato u mblodhën dhe u përfshin në koleksionin kombëtar dhe shumë nga këto janë të ekspozuara në Rijks Museum.

Pas një qëndrimi dhe veprimtarie të dëndur artistike 37-vjeçare në Stamboll, Jean Baptiste Van Mour-i vdiq atje me 22 janar 1737 dhe u varros në varrezat katolike në Gallata. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të stuhishme të Stambollit në shtator-nëntor 1730 dhe i shumë ngjarjeve e veprimtarive të tjera në kryeqytetin turk, të cilat i hodhi në telajo dhe i përjetësoi në pikturat e tij.

Shqiptari Halil Patrona, me pantallona të gjelbërta dhe qylaf e kaftan të kuq, me shpatën zhveshur dhe shprehje fitimtari, udhëheq me sukses revoltën popullore në Stamboll. Në anën e djathtë të tablosë është zëvendwsi i tij, pemëshitësi Muslu Beşe dhe flamurtari Emir Ali kafexhiu. (J.B. Vanmour).

Doktor Henry Holland, miku i Lord Bajronit dhe i Ali Pashë Tepelenës,  është ndoshta studjuesi i parë anglez që tregon për historinë interesante të shqiptarit Halil Patrona, në veprën e tij madhore me 551 faqeUdhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj. (1812-1813)” (botuar në Londër më 1815). Në Kapitullin VI të veprës së tij Doktor Hollandi vendos një shpjegim në fund të faqes 102, ku jep si shembull të trimërisë së shqiptarëve historinë e Halil Patronës, të cilën ai e kishte lexuar në një libër udhëtimesh të një lordi anglez, botuar në Londër më 1799:  “The  revolution  effected  at  Constantinople  in  1730,  by  the  agency  of  an  Albanian called  Ghalil,  or  Patrona,  is  well  known  from  the  accurate  narrative  of  Lord  Sandwich, This  Albanian,  for  a  considerable  time  was  absolute  master  of  Constantinople.” (“Revolucioni që u bë në Konstandinopojë më 1730, i organizuar nga një shqiptar i quajtur Ghalil ose Patrona, është i mirënjohur nga përshkrimi i saktë i Lordit Sandwich.[1] Ky shqiptar u bë zot absolut i Konstandinopojës për një kohë të konsiderueshme”).

Po kush ishte ky Halil Patrona që pushtoi Stambollin, tronditi Anadollin dhe rrëzoi një sulltan nga froni?

Halil Patrona, të cilin e përmend Doktor Hollandi në veprën e tij, ishte një ish-marinar shqiptar që kishte lindur në një familje të thjeshtë shqiptare në fshatin e vogël Krupishtë/Horpishtë[2] të vilajetit të Monastirit rreth vitit 1690. Ai njihej nga turqit si Arnaut Halil Horpeshteliu, sipas vendlidjes dhe etnicitetit, por bashkatdhetarët e tij shqiptarë e thërrisnin ‘Patrona’ që do të thotë ‘nën-admiral’. Sipas vendlindjes dhe origjinës shqiptare mund ta quajmë Halil Krupishta. Sipas përshkrimit të kontit anglez John Montagu, Halil Horpeshteliu u njoh me nofkën “Patrona” sepse kishte shërbyer si marinar në anijen e nënadmiralit otoman (Patrona), ku organizoi një revoltë, e cila u shtyp dhe ai u fsheh për disa kohë. Pastaj shkoi në Stamboll. Ku arriti të bëhet jeniçer dhe, pasi mori pjesë në revoltën e jeniçerëve në Nish dhe udhëhoqi një tjetër në Vidin më 1620, u vendos me banim të përhershëm në Stamboll. Punoi për disa kohë si shitës ambulant dhe kujdestar i një hamami që frekuentohej nga jeniçerë, miq të Halilit.

Më 28 shtator 1730 në Stamboll nisën trazirat për të rrëzuar Sulltan Ahmetin III. Kjo kryengritje hyri në historinë moderne të Turqisë si “Kryengritja e Halil Patronas”. Sulltan Ahmeti III kishte ngjallur pakënaqësi në masat e gjëra të popullit me disa reforma gjoja modernizuese të perandorisë dhe me pompozitetin, luksin e qejfet e shfrenuara ku ishin zhytur ai dhe oficerët e lartë kryesorë. Ai kishte krijuar familjen më të madhe perandorake në historinë e Perandorisë Osmane: ai kishte të paktën 21 gra, të paktën 21 djem dhe të paktën 36 vajza.

Halil Krupishta/Patrona u vu në krye të kësaj kryengritjeje të gjërë popullore që përfundoi me sukses mbrenda 4 ditëve. Ai e detyroi Sulltan Ahmetin III të ekzekutonte tre pashallarë të lartë – nipin e tij, Vezirin e Madh apo kryeministrin Ibrahim Pasha dhe dy nipat e tij, të zbriste vetë nga froni dhe të hipte në fron si pasardhës nipin e tij, Sulltan Mahmutin I. Për rreth 2 muaj Halil Patrona zotëroi pushtet absolut në Stamboll. Ndonwse sulltani i ri Mahmuti I mori masa të rrepta, revoltat vazhduan për më shumë se një vit. Më në fund, revolta u shtyp dhe me 24 nëntor 1731,   Mahmuti I e vrau pabesisht Halil Patronën bashkë me 25 shoqërues të tij.

Revolta e udhëhequr nga shqiptari Halil Patrona, trimëria e tij dhe vrasja e tij me tradhti bënë bujë në të gjithë Europën. Për të u bënë shumë shkrime në të gjitha gjuhët kryesore europjane, u bënë piktura e gravura dhe u botuan romane e tregime. Bile u bënë edhe 2 filma turk: një film televiziv me 20 seri me titull “Bir Zamanlar Osmanli” (Dikur Osmanlijtë) që u shfaq gjatë vitit 2012, ku rolin e Halil Patronas e interpreton aktori e muzikanti Nuri Firat Taniş, dhe një film me tirazh të plotë në vitin 2013 me titull “Osmanli’da Derin Devlet” (‘Derin Devlet-i’[3] në Turqi), ku rolin e Halil Patronas e luan aktori i njohur i serialeve turke Devrim Saltoǧlu.

Historiani dhe linguisti anglez Robert Nisbet Bain (1854-1909), poliglot i shkëlqyer i mbi 20 gjuhëve, përktheu nga hungarishtja në anglisht romanin historik të romancierit të famshëm hungarez Mor Jokai mbi jetën e Ali Pashë Tepelenës “Luani i Janinës” dhe tregimin për shqiptarin që pushtoi Stambollin për 8 javë dhe rrëzoi nga froni Sulltan Ahmetin III, të titulluar “Halil Patrona” ose “Trëndafili i bardhë”.

Më 24 shkurt 2015 Epidamn Zeqo, djali i dijetarit poliedrik e poetit të shquar Moikom Zeqo, botoi në anglisht në revistën dymujore NEE (New Eastern Europe) shkrimin “The Albanian Paintings of Ambassador Calkoen” (“Pikturat shqiptare të ambasadorit Calkoen”). Ai shkruan se Van Mour-i bëri rreth 65 piktura, dhjetë nga të cilat janë me motive shqiptare, të cilat i mblodhi në pronësi të tij ambasadori hollandez Cornelis Calkoen. Në këtë shkrim E. Zeqo përmend 4 piktura me motive shqiptare: dy pikturat e Halil Patronas, portretin e luftëtarit shqiptar dhe të bariut shqiptar, por në shkrimin e tij janë të publikuara vetëm dy portretet e fundit. Ka dhe një pikturë të tretë të Van Mour-it, në fillim të shkrimit, e cila paraqet ambasadorin hollandez  Cornelis Calkoen me shpurën e tij në “audiencë me sultan Ahmetin III”.

 

Bibliografia

  1. John Montagu, 4th Earl of Sandwich-it (1718-1792), “A Voyage Performed by the Late Earl of Sandwich Round the Mediterranean in the Years 1738 and 1739”, London: Printed for T. Cadell jun. and W. Davies, 1799.  (539 faqe).
  2. Holland, Sir H., Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, &c. during the Years 1812 and 1813, London, 1815, Longman, Hurst, Rees, Orme, and Brown, 551 pages.
  3. Zeqo, Epidamn, “The Albanian Paintings of Ambassador Calkoen”, NEE (New East European) Magazine, February 24, 2015
  4. [Van Mour, Jean Baptiste], “Recueil de cent estampes représentant les different nations du Levant, tirées sur les tableaux peints d’après Nature en 1707, et 1708 par les Ordres de Mr. de Ferriol ambassadeur du Roi a la Porte…”, Paris, 1714.

==============

[1]John Montagu, Konti IV i Sandwich-it (1718-1792), “A Voyage Performed by the Late Earl of Sandwich Round the Mediterranean in the Years 1738 and 1739”, London: Printed for T. Cadell jun. and W. Davies, 1799.  (539 faqe) [“Lundrim rretheqark Mesdheut në vitet 1738-1739”]. Historia e Halil Patronas shtjellohet në 60 faqe (f. 225-284).

[2]Fshati Krupishtë tani bën pjesë në komunën e Karbincit të Maqedonisë Veriore.

[3] “Derin Devlet” fjalë për fjalë në turqisht do të thotë ‘shtet i thellë’ dhe në Turqi thuhet se përfaqëson një grup të fuqishëm koalicionesh anti-demokratike të ushtarakëve, agjensive të sigurisë, juristëve dhe mafias mbrenda strukturës politike turke.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *