Sfinksi Izet Haxhia përballë Sali Berishës

Sefer Pasha

 

Poeti, prozatori, eseisti, gazetari, përkthyesi dhe studiuesi Xhevdet Shehu qysh atëmot më dhuroi librin e tij me intervista dhe replika të asokoshme intriguese e diagnostikuese: “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”. Të jem i sinqertë unë nuk shfaqa ndonjë entuziazëm nga që ky libër me peizazhe e ngjarje  habitshmërisht tragjike ishte bërë pikë për pikë si përrallat e “Një mijë e një netëve”. Personazhi qëndisej me fole kuptimesh në detaje. Më dukej sikur këto ngjarje lëndore me tinëzar e kurthexhinj u kishin ndodhur fantazmave. Kishte shkruar shtypi dhe diskutohej në përditshmëri me metafora gjuhësore shumë të lexueshme sarkastike.

Gjithsesi librin e kallximtarit Xhevdet Shehu të shkruar me një prozë të mëndafshët plot qeliza burimore e trofe, si i pari në llojin e vet, me fakte të përkundërta e i pangishëm, e sistemova në bibliotekën time. Nga një kat i bibliotekës libri me një kryetitull të zgjedhur sikur ma bënte me sy: “Jam këtu”. Hidh ndonjë frazë të përshkoqur në fletët e letrës. Libri për Izet Haxhinë nuk është kryekrejt trillim artistik e as bashkësi legjendash. Vetë subjekti i veprës në linjat e tij ka tablo tragjike e personazh si Jagoja i Shekspirit. Ti e ke njohur mirë egërshanin Izet Haxhia me sjellje vetësakrifikuese, që pati pak agime dhe për dreq nuk po i ndahen muzgjet dhe makthi i pafund. Mendohesha. Studiova shumë. Selman Ruzhdie thotë tek libri, “Furia”, se “misteret na drejtojnë të gjithëve. Pushteti i tyre na shtyn në brendësi të errësirës ose të dritës”.

Eseja që nisa të shkruaj po më dukej si një copëz bible. Ç’është ky tip i thoja vetes i satanizuar për Izet Haxhinë, që rrezaton ylberin, e këtejpari për besë, i fiksuar pas drejtësisë, kërkon pavdekshmërinë në një realitëet të ashpër? Qysh në Turqi dhe në qeli në Shqipëri Izet Haxhia e rishkruante thënien e Ciceronit se “Shpesh, drejtësia e bujëshme, është padrejtësi”. Personazhi i librit të studiuesit Xhevdet Shehu, Izet Haxhia, përplaset me hjeksa të tjetërkujt, të cilët, heu bre, nuk po i ndahen me reshjet e helmit dhe kërkojnë grimca brenda një tragjedie si ajo e Azem Hajdarit, ku ai është jashtë këtij episodi mizor. Një personazh i librit më kujtoj një thënie të nobelistit Peter Handake, i cili thotë: “I vetmi veprim politik që kuptoj unë, është etja për vrasje…Muti kërcen mbi shurrën dhe shurra mbi gëlbazën”.

Libri i Xhevdet Shehut si mjeshtër i të shkruarit e dëfton këtë gjë në kapitujt e librit sidomos për liderët me mendje kriminale. Kryepersonazhi ndajshtimor Izet Haxhia edhe pse është në dalldi e i zdërhallur ai e përzë vdekjen dhe gjithnjë është ngadhënjimtari. Nuk e përfytyron dot apokalipsin. Ai të kujton lutjet e detarit fenikas: “Zota, mos më gjykoni si të isha Zot, por si një burrë që e ka mposhtur deti”. Si shqiponjë Babine Izet Haxhia nuk veshi kurrë pendët e korbit e s’u qorolleps. Tek e lexon librin dramat të ngjajnë si qershia mbi tortë. Kësisoj lexuesit i duket sikur po e ndjek personazhin në kapërcyellin e një filmi epik. Atypari deti i rrëfimeve të tij në ngjizje frytëzohet bashkë me universin që vazhdon ta zgjeroj tharmin e këndvështrimit. Izet Haxhia e ka marrë statusin e legjendës dhe i ka përballuar provat traumatike paçka se i kanë vënë diagnozë të gabuar. Është shembulli klasik në luftën me shajnitë. Ai me një ton epërsie kërkon drejtësi në tramundanë. Kundërshtari i tij është djalli i kësisojshëm që motivohet nga urrejtja. Autori i “Furisë” Selam Ruzhdie ka dhe një thënie që më mbeti në mendje “Sikur të ishin të gjithë njerëzit të lidhur me dashuri vllazërore, sa e bukur do të ishte bota”.

***

Libri i prozatorit Xhevdet Shehu mu në krye me përsonazh Izet Haxhinë i kompozuar mirë shtron në zëmrën e tekstit një çështje të mprehtë me trajta të rënda. Arkitektura dhe objekt i librit në disa rrafshe me krejtçka meret me misterin proverbial të pakuptimtë, që mban në zgërqet e burgut Izet Haxhinë, i cili nuk ka bërë ndonjë krim. Hulumtuesi Xhevdet Shehu shpalos në kapitujt e librit me pozivitet, energji, frymëmarrje dhe e di intelektin e botës shpirtërore të Izet Haxhisë, që me pasion engjëlli e autenticitet kërkon drejtësi. Ani çka! Çfarë ndodh me një njeri të kësaj bote kur atij i bie mbi kokë një padrejtësi e madhe? Të gjithë gjyqet janë kundër Izet Haxhisë. Nuk i japin të drejtë. Dhe cikloni i padrejtësisë po e kalb në burg. Padrejtësia e ka rrethuar. Sa më shumë kërkon drejtësi aq më shumë ja shtrëngojnë helmetën. Izet Haxhia i është drejtuar dhe zotit, por as ai nuk i qaset. Atëherë vijmë tek thënia e Dostojevskit që thotë se: “Nëqoftë se nuk ka zot, atëherë gjithçka është e lejuar”. I braktisuri nga drejtësia nuk di se ku të përplaset. Ai është përtej kohës. Askush nuk ka mëshirë për të. Të gjithë i kanë kthyer krahët. Xhit bëhet pyesin në Babinën ku lindi? Dramat po e plakin në burg. Edhe unë që po merrem me jetën e tij bëj të njëjtën pyetje. Kush e shpëton një njeri të cilin e mbajnë në burg padrejtësisht? Ngre supet i mundur. Gjithsesi ka një armë që e mbron një njeri të cilin duan ta vdesin. Dhe kjo armë hyjnore është arti. Sot për sot me përjashtim të librit të Xhevdet Shehut nuk thuhet asnjë fjalë për të. Ende nuk po realizohet një film, një dramë, një këngë apo të hapet një ekspozitë me fotografi e rrëfenja, ku të tregohet absurdi i një kohe të mallkuar dhe krenaria biologjike e fisit Haxhia në Babinë. Libri e ka marrë licensën që të rrëfejë kapërcyellet tronditëse të Izet Haxhisë në betejën për ekzistencë dhe nder në bazë të kodit zakonor të Malësisë së Gjakovës. Dhe mjeshtri  Xhevdet Shehu si një zë i mprehtë në hapësirën e mitit ia ka arritur qëllimit. Më mirë një qiri i fikun se sa burrë i koritun, i ka thënë avokatit Izet Haxhia. Besimi lëviz malet thonë në Babinë.

***

Lajmet e fshehta që dalin nga burgu ku vuan një dënim të padrejtë Izet Haxhia tepër kompetitiv më thonë se ai është në gjendje të mirë shpirtërore. Jam në krahun e duhur thotë ai më zë të lartë me urtësi antike. Po të vazhdoja të isha në Turqi ose në ndonjë vend tjetër do të isha një zë në shkretëtirë. I kam vënë gjoksin stuhisë dhe po përballem burrërisht. Jam në një burg të Shqipërisë dhe do qes në sipërfaqe ofshamën e kalvarin e të vërtetës. Kërkoj drejtësi. Ç’më duhet jeta e qetë në një vend tjetër kur në vendin tim më quajnë vrasës. Po luftoj që ta heq këtë njollë. Dhe megjithë dështimet më mbulon një tufë me rreze shprese. Le të dalë një burrë dhe t’ma provojë se jam vrasësi i Azem Hajdarit. Nuk kërkoj asgjë tjetër, dua vetëm një provë. Hamendjet janë një marrëzi. Dhe do t’ia dal gjersa jetën ta kem të frymtë. Dhe Izet Haxhia nuk bëri karrierë meteroike. Ai mbetet më së pari sinonim i kurajës çezarjane.

Personazhi i këtij libri Izet Haxhia i pati mundësitë të gjente një mënyrë për të ndërtuar një jetë të re. Largohej nga Turqia kur ia donte kokrra e qejfit. Miqtë nuk i mungonin për ta ndihmuar financiarisht. Në një vis tjetër mundet edhe të martohej. Bile të lindte dhe fëmijë. Po e ka thënë vetë se jeta e tij nuk do të kishte kuptim. Me kulturën që kishte i gjente hapësirat për një jetë të begatë larg tragjedisë së vrasjes së Azem Hajdarit. Por çka me ba! Izet Haxhia u gjend aksidentalisht në mes të kësaj tragjedie në shkallën sipërore. Çasti është gjithçka. Por personazhi i Xhevdet Shehut mbeti në koma. Kodet zakonore nuk e lejonin të bënte qoka me nderin e familjes së tij. Ai nuk mundi ta ndryshonte gravitetin. Se ndoqi dot rrymën sekondë pas sekonde. Nuk mujti ashiqare. E bën dash të kurbanit. Selam Ruzhdie thotë “A mund të jetë e drejta e gabuar? A është gjëja e gabuar gjëja e drejtë për ty?”. Të nxjerrim një vendim vazhdon prozatori me emër që dielli të rrotullohet rreth tokës. Në Shqipëri gjithçka ndodh. Të këputin nga dega si mollë të artë dhe ia dhurojnë krimbit fatal. Izet Haxhia ende nuk po i mposht mes vedi, që prej qëmotit, demonët e së shkuarës kur e mbajnë të rrethuar të gjithë djajtë e së ardhmes. E megjithatë toka lëviz për të. Ani çka thotë hopthi në burg Izet Haxhia duke i përdorur metaforat e tij brilante që i ka me shumicë. Ëndërron për një drejtësi marsiane kur t’i vij hera në këtë rend të turbulluar nga maskarenjtë. As në burg jetën nuk e shpenzon kot. Imazhet e ndjeshme nuk i mungojnë. Nuk ka vështirësi të pakapërcyeshme. Edhe gjendjet çastore të japin kënaqësi të qashtra thotë ai. Nuk më murosin dot. Vetëm tuta ha dardha të buta.

***

Izet Haxhisë i kanë vënë një kopësht epitetesh. Libri i autorit Xhevdet Shehu fjalë më fjalë e kapitull më kapitull vetvetishmërisht sjell universin e përvojës së këtij martiri me dendurinë e provave, që i afron lexuesit, se ai nuk ka gisht në vrasjen e Azem Hajdarit. Prej krykresë kronologjia e ngjarjeve me ndërtësjelltësinë e shumësisë së vet jetës së soit të Izetit pa delir tejçon spërinë e një njeriu, që nuk ka lidhje me krimin. Fatkobi Izet Haxhia me autenticitetin intelektual i zbret në rrënjë tragjedisë. Si mund të quhesh vrasës pa qenë në vedin e krimit. Nuk gjendet ndonjë yçkël  burimore qoftë dhe në periferinë e skajshme të tragjedisë së Azem Hajdarit.

Kështu e fillova esensë që në rrashtat e parë mu duk i kollajt. A thua e them këtë për një mend në mënyrë metaforike? Po. Me Izet Haxhinë kisha punuar në Presidencë kur ai u bë “zeusi” që krye më krye mbronte Sali Berishën. Para zgjedhjeve të vitit 1992 e urreja Izetin. Nuk doja që të rrëzohej pushteti komunist i Ramiz Alisë. Por pas fitores së demokratëve edhe mua më kaluan në kampin e fitimtarëve. Tani që po lexoj librin e Xhevdet Shehut e përfytyroj Izet Haxhinë, jo vetëm në Presidencë, por në të gjitha shërbimet e Sali Berishës. Izeti i ngjiste dhe i zbriste shkallët ububushëm me nga dy e nga tre përnjëherësh sikur të ishte aktor. Askush nuk i delte përpara. Nuk përfillte as Kryeministrin, as ministrat dhe as parlamentarët. Ai, Izet Haxhia, ishte lisi e gjithë të tjerët ishin shkurre. Nëse kishe ndonjë hall vetëm ai ta zgjidhte. Shkurt ishte maja e majës dhe thoshte të vërteta të nxehta. As sot nuk e kam të qartë përse ai e binte shpesh në Presidencë doktorin diturak Bajram Preza. Në intervistat e tij Izet Haxhia nuk fletë për këto vizita sekrete dhe as për çantën me ilaçe. Bajram Preza ishte një simbologji më vete. Ky kapitull mungon në këtë libër.

Në atë periudhë i ruhesha shumë Izet Haxhisë. Ai futej në zyrën e Presidentit sikur ajo të ishte ndonjë kasolle në bjeshkë. Të tërë të tjerët dridheshin. Lajmi i pamundur. Por më vonë ngjarjet morën rrokullimën. U thyen qelqet. Ja çfarë shkruan në libër Sabit Brokaj: “Erdhi një moment që spekulluesit, mashtruesit kalemxhinj e mercenarë, që janë rracë jo e pakët te ne, u larguan aq shumë prej të vërtetave, sa që Izeti nuk duroi më. Shpërtheu”. Izet Haxhia nuk bëri atë që thotë Pasternaku: “Të përshtatet, që të mbijetojë”. Leximi diagonal i librit të Xhevdet Shehut të pickon me tharmin e personazhit. Impulsivi i Babinës në shumësinë e ngjarjeve u sfilit proverbialisht e qartazi nuk u shkoi pas avazit “jagove” të një kohe të mbrapsht. Izet Haxhinë bash asgjë nuk e ndaloi. Ai nuk veproi si gjarpërinjtë që me të filluar vetëtimat futen nën tokë. Anatemoi intrigantët. Si sqimatar diti ta ndajë ADN -ë me ata që farkëtojnë regji në prapaskenë. Natyrisht që nuk diti të kodohet. Kalvari i gjatë i vuajtjeve të tij të kujton thënien e Dostojevskit që thotë “Më jepni një dhimbje t’u jap një kryevepër”. Në këtë kah rrëfimet e Izetit konvergojnë me universin koherent të këtij njeriu të çuditshëm, i cili sikur nuk tregon dramat e tij të shpirtit, por detaje të pashoqe si të jetë ndonjë novelist mistik pa vello etike. Megjithëse nuk kemi bërë ndonjë tallaz zbulimesh nga jeta në arrati dhe nëpër burgje, ata që e kanë takuar në Turqi, e kanë dëgjuar të këndonte shpesh vargjet e një kënge të hershme: Për xhenet u nisëm/ /Sosëm në xhehnem//Shqipëri moj kuçkë/ /Na bëre verem. As në burgje nuk e shpenzon jetën kot Izet Haxhia. Thuhet që mban dhe ditar. Kur Izet Hxhia ishte në Koshare në luftën për çlirimin e Kosovës takoi aty dhe shumë palaço dhe agjentë të UDB -së. Ndonjë e kishte takuar dhe në Presidencë. Pikërisht për këtë arsye ai shkroi me bojë të zezë në faqen shkëmbore të Rrasës së Zogut shprehjen e Samuel Xhonsonit, i cili ka thënë: “Patriotizmi është streha e fundit e horrave”.

***

Gjatë gdhendjes së esesë e kam pyetur veten se përse nuk po e kaloi dot lumin shpirtëror të Izet Haxhisë? Ka vetëm një përgjigje. Vetë ai e ka thënë bukur se “kam një kujtesë prej elefanti”. Është arkiv me vete. Di më shumë se shërbimet inteligjente të vendeve të huaja. Rrëfenjat i ka të sinqerta aq sa të duket sikur kemi të bëjmë me një novelistikë të qashtër. Memoria e tij është si Bjeshkët e Namuna. Faktet, kukuvajkat, rropamat, llomet, fjalori i gjuhës, apostujt, ngjarjet, dokumentet, mitet, lento – lentot, togfjalëshat, metaforat tragjike, tregu i fjalëve, derexhet, muzat, stili i intervistimit, legjendat, baladat, cili – vilet, monstrat tipike, egjërat, sensi i humorit, apologjitë, karafilët nga mendja, jagot anonimë, kultet e shtriganëve të allasojtë, gërxhot, gogolët, krrokatësit e pushtetit, imazhet e llastuara, krizat, takëmet, intrigat, kodet e urrejtjes, përplasjet me ofendikonjtë e kohës së re, dhe historitë verbale, ia tregon gazetarit investigativ Xhevdet Shehut me energji dhe kreativitet, paçka se ka inflacion epitetesh. Libri assesi ngjit. Izet Haxhia u shqua si figurë emblematike pranë Sali Beishës pa stolisje e fjalë, por dhe kur u burgos dhe u dënua padrejtësisht po lufton me tragjicitet kundër hajnave në rendin kronologjik të intrigave të pafundme. Instinktin e vetmbrojtjes dhe tisin e misterit e ka pjesë të ngjarjeve traumatike të pleksura me krimet e zgjyrta kanibaleske me kulaç të mykur. Një ditë e ka dhe korbi ka thënë për kundërshtarin e tij. E gjithimagjenueshmja ka për të ndodhur. Babina mbetet Itaka e tij në rrafshet më të epërme. Izet Haxhia përgjigjet i ka prej sfinksi. Nuk është tribalist e në këtë kah ai ka parasysh devizën e Kaligulës për kundërshtarin e tij numër një, i cili thotë: “Le të më urrejnë, veç të më keni frikë”. Një ditë triumfon ekzistencialja. Në rendin e fjalëve Izet Haxhia ka botën e tij letrare. Pasazhe nga kjo botë mistike i gjejmë tek libri i shkruar mjeshtërisht nga Xhevdet Shehu.

Shumatorja e opinioneve për një zinxhir ngjarjesh midis tij dhe Sali Berishës nuk ja baltosin dot imazhin. Autoritarizmit të kundërshtarit i përgjigjet me sens përgjegjësie pa kode të fshehta. Statura e Izet Haxhisë është bekuar me melhemin magjik të kurajos. Siç del në librin e prozatorit Xhevdet Shehu personazhi Izet Haxhia është simbol i mundimit guximtar. Kudo e shoqëron një fill prej ari. Edhe kur është në zgrip të humnerës me veprimet e tij inteligjente, pa asnjë gjurmë mëkati, ai si unikal që është mbrohet si një ikonë e këndellë skaj më skaj me diversitetet e fakteve dhe të akuzave monsturoze, që bëhen në adresë të tij siç dhe ajo për vrasjen e Azem Hajdarit, ku ai s’ka asnjë grimcë faji. Akuzën jo vetëm që nuk e honeps dot, por për pathemelinë e saj si trim i çartur që është me kahjen e talentit i bën të njohur opinionit nyjën dramatike të tragjedisë së Hajdarit, e cila po e therorizon e i bën diversion jetës së tij dhe të familjes së madhe të shtrirë që nga Babina e deri në Evropë e Amerikë. Izet Haxhia mbrohet me mprehtësi vëzhgimi, guxim të makthshëm, u jep udhë bëmave dhe mëkateve e allasoj si rast hipotetik as Zoti lart nuk po transkipton.

***

Libri i Xhevdet Shehut në kurbën e rritjes me autenticitet për lexuesin është një risi në mes të ofkëllimave apokaliptike që e shoqërojnë me vello zije heroin Izet Haxhia skajshmërisht. Jetës së Izetit i shkon thënia e Bergsonit, i cili ka thënë se “E padrejtë është e drejta dhe e drejtë është padrejtësia”. Autori psikoanalist me gjuhë e ngjyrave të paqta kundron e nuk i ndahet ritmit. Proza është e brishtë. Pakrahasueshmërisht me autorë të shumtë që botojnë libra në përditshmëri Xhevdet Shehu me sens përgjegjësie ka ditur të kopsisë një libër dinamik. Nuk merret vesh se ku e gjeti melhelmin magjik sidomos në disa kapituj nevralgjik. Xhevdet Shehu tepër energjik ka mënyrën e tij të këndvështrimit. Orbita të rrezikshme i ngritën heroit të tij në çdo çast të jetës. Ai mbeti simbol i mundimit në çdo segment kohor të jetës. Kurrë nuk u tundua, por duke e pasur ambicjen me ok e përballoi me stuhi nervash ferrin ekzistencial. Izet Haxhia i nxori në sipërfaqe ndjenjat dhe vazhdon të përballoj çdo tramundan. Në sferën e këtij gjykimi qysh në kreje polemisti Izet Haxhia të befason e të jep një ndriçim të brishtë. Kjo mënyrë të rrëfyeri nuk është e eksperimentuar nga autor të tjerë. Personazhi Izet Haxhia e bën vetë autoportretin paçka se ndonjë ide është surrelale. Biografia e personazhit nuk është e retushuar. Për dreq e liga kudo i pati bërë pusi skrupulozit të Babinës. Nëpër faqet e librit lexuesi e ndjen veten si në hyjnitë mitologjke. Pëlhura e prozës është e pastër dhe e qashtër. Tregimtari Izet Hxhia nuk të imponohet me oazet e rrëfenjave as në kuptimin metaforik. Sokrati para se të pinte kupën e helmit i binte fyellit. Dua të mësoj edhe këtë melodi para se të vdes ka thënë ai.

Muza dhe pena e Xhevdet Shehut me mprehtësi vëzhgimi ka investuar në këtë libër për një njeri me identitet e botë ndijore si Izet Haxhia, që fati e kallkeqi në shajnitë e Sali Berishës dhe thika i shkoi në asht nga tinzarët dhe kurthexhnjtë. Nga ky kënd fjalë për fjalë libri “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” ka qëlluar mu në shënjë. Me majat e mendimit Izet Hxhia është i rrokshëm edhe pse në gjendje makthi të pafund. Në ato që thotë nuk ka asnjë alibi dredharake. “Të mbytem në det e të Bajramcurrem në male” thoshte Azem Shkreli.                                                                                                                                                                                     Dikur në Presidencë e kisha zili karizmën e Izet Haxhisë. Sa i lumtur është ky njeri i thoja vetes. Më duket si rast hipotetik. Nuk i mungon asgjë. Si lëviz qerpiku.Të gjithë tuten prej tij. Lum ai, lum familja, lum fisi e lum Tropoja. Izet Hxhia kishte autoritet absolut. Ishte më autoritar se Sulo Gradeci me të cilin pata punuar dikur në rini. Mund të përgatisja një libër me ato përshtypje. Por eseja është një korie. Kurse libri një pyll me bredha e ahe. Më pati qëlluar të pi kafe e uiski me Izet Hxhinë. Por për mua mbaroi shpejt “muaj i mjaltit” në Presidencë. Filluan reshjet e helmit. Më përzunë se kisha qenë komunsit dhe komisar. Pastaj jetën e Izet Haxhisë e ndiqja nga bulevardi dhe pylli. Tek porta e rrugës “Avdyl Frashëri” ndaloja ndonjëherë se më ftonin për kafe ish kolegët. Mblidheshim tek kafja “Artur” aty ku është busti i Qemal Stafës. Megjithëse kurrë nuk i pyesja ish kolegët e ktheja kokën nga Presidenca. Dhe i thoja vetes se brenda atij tempulli është njeriu më i lumtur i botës, Izet Haxhia.

Tani që shfletoj librin e prozatorit Xhevdet Shehut e sjell në mendje atë kohë. Ku ta dija unë se selia e Presidencës, ku bënte ligjin “gjeneral” Izet Haxhia, pikërisht ajo “fortifikatë” do të kthehej për të në ferr e mallkim. Mbaruan çastet e ndritura dhe filloj stina e zymtë. Atëherë Xhevdet Shehu nuk e njihte Izet Haxhinë. Xhevdeti shkruante dhe përkthente letërsi. Në kafenenë “Luksi” të Bibliotekës Kombëtare diskutoja me kritikun e artit Arshin Xhezo për problemet bashkëkohore në letërsi. Profesori e vlerësonte shumë Xhevdet Shehun. E quante mjeshtër të letrave shqipe. Përkthimet e tij ishin brilante. Ai me nxiste që të bashkëpunoja me Xhevdet Shehun. Por njohjet e mia me Xhevdet Shehun ishin të pakta. Ai kishte bërë emër si gazetar i “Zërit të Amerikës”.

 

Jam i sigurtë se pas vrasjes së Azem Hajdarit trokiti si një poemë epike personazhi dramatik i Izet Haxhisë. Siç e përshkruhet në fletët e subjektit të librit, pas shumë stuhive, Xhevdet Shehu do ta gdhendte në një libër figurën drithëruese dhe forcën e personalitetit të Izet Haxhisë, që i tregon bukur rrëfenjat, zakonet dhe traditat e Malësisë së Gjakovës. E lexova rresht për rresht librin: “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” e mbusha një krah me shënime. Portreti i Izet Haxhisë të mahnit. Për të mund të shkruhen dhe libra të tjerë, të realizohen filma serial e të kompozohen këngë.

Nuk e teproj. Më gjeni një personazh si Izet Haxhia. Ai është vetë publicist, komisar policie, shoqërues i klasit të parë i Gardës së Republikës, vizionar mitologjik, aktor, burrë zakoni, profet, mujashar, refugjat, ndërtues muranash, dashnor, i besës e për të drejtën i bie me kokë malit të Shkelzenit. Heroi i librit të Xhevdet Shehut u arratis jashtë shtetit. Mundet të bënte jetën e pashait në çdo cep të globit. Por jo. U kthye në sallën e gjyqit në Shqipëri. Po shkrihet për të drejtën. Ja çfarë thotë Izet Hxhia: “Nuk kam vrarë apo dhënë urdhër të vrasë njeri dhe nuk jam përzier në asnjë vrasje apo krim që ka marrë jetën e tjetërkujt dhe kjo më bën që ta vë kokën rehat kur bie të fle, e jo të shikoj ëndrra plot makthe sikur shikojnë ata që janë zhytur në krime”.

Në librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” fillimisht të krijohet përshtypja sikur autori Xhevdet Shehu anon nga heroi i librit Izet Haxhia. Por duke i analizuar të gjithë kapitujt e veprës krijon tjetër mendim. Vetë Izet Haxhia shpërfaq në libër karakterin e tij të jashtëzakonshëm. Është një qytetar që e akuzojnë si pjesëmarrës në një komplot. Fjala është për vrasjen e Azem Hajdarit. Për këtë Izet Haxhia u syrgjynos, u dënua e u ridënua. Lexuesi fletë pas flete e rresht pas rreshti fikson ato që thotë Izet Haxhia. Si mund të jesh vrasës pa hequr këmbën e shkrepjes së armës? Deklaratat e procesit të Hajdarit me ato që thonë nuk të bindin se Izeti është i implikuar. Mirëpo thuhet se kur flet drejtësia të gjithë duhet të heshtin. Por letërsia është kozmike. Ajo harbon në misteret e kësaj bote e cila mbahet në këmbë nga ligjet. Prozatori Xhevdet Shehu e fton lexuesin që ai vet të arsyetojë mbi heroin e librit. E pse do ta implikonte veten Izet Haxhia në një vrasje të bujshme, që nuk kishte lidhje me të? Ç’i duhej të lëronte në bjeshkë me tre qe. Ai nuk kishte asnjë konflikt me Azem Hajdarin dhe me familjen e tij. Në fund të fundit Izet Haxhia nuk ishte as ministër dhe as deputet. Ishte thjesht një roje i Sali Berishës paçka se në Gardë i kishin dhënë gradën e kolonelit. Nuk ka asnjë motiv. Mungon intriga. Edhe një detaj tjetër. Fatmir Haklaj që njihej si fajkua në Malësinë e Gjakovës s’ka pasur ndonjë lidhje të madhe me Izet Haxhinë. Fenomeni Fatmir Haklaj nuk i besonte askujt në ketë jetë. As Izet Haxhisë. Pikëpyetjet janë të mëdha. Por autori i librit nuk merr përsipër të bëjë as hetuesin dhe as gjyqtarin. Ai dëshmon për atë që i ka ndodhur Izet Haxhisë. Libri është një poemë që hedh dritë mbi shpuzën e figurës së Izet Haxhisë, që nuk e gjen në letërsinë botërore. As në filmat e Hollivudit. Vrasësi është Fatmir Haklaj dhe pikë. Në kapitujt e librit dora – dorës vizatohet bota e Izet Haxhisë. Ai vetë është njeri i ditur. Lexonte libra shkencorë dhe letërsi. Nuk e hiqte dot nga hunda as Fatmir Haklaj dhe as dreqi me të birin. Ishte natyrë intuitive. Rridhte nga një familje e shkëlqyer e me tradita në Tropojë. E njihnin kanunin, zakonin dhe besën. Nuk të vrisnin pas krahëve. Lexuesi vihet në siklet nga thënia homerike e nënës së vëllezërve, e cila u thotë djemëve: – “Ç’janë këto që dëgjon nana për ju!”. Dhe siç dihet familja e Izet Haxhisë u godit rëndë. U shkatërrua. Pasardhësit nuk e shpjegojnë dot se nga erdhi ky mallkim. Ata nuk kishin asnjë konflikt me familjen e Azem Hajdarit. Izet Hxhia e njihte karakterin e Azem Hajdarit në Tropojë. Dhe lexuesi pjesë nga jeta e Azemit do t’i gjej në faqet e kësaj vepre. Izet Haxhia nuk mund të merrej me figura, që vinin në politikë nga hiçi. Megjithëse nuk thuhet asnjë fjalë në libër, Izet Haxhia mund të ndërmerrte ndonjë aventurë ndaj Fatos Nanos, Edi Ramës, Skënder Gjinushit e ndonjë tjetri. Por jo me Azem Hajdarin. Kurrë! E quante fyerje. Në libër Shehu pikturon Izetin, por harron mitin Fatmir Haklaj. Po të kishte qëllime e merrte Azemin për “veshi” që nga Tirana dhe shpinte në Bjeshkët e Gjarpërit në Tropojë. Nuk ishte i trashë që të shkonte përpara selisë me një tabor. Vrasja e Azem Hajdarit ishte një aksident i rëndë për të. Qe një tmerr.

***

Nuk e kam të qartë se si hyri në krijimtarinë letrare të Xhevdet Shehut njeriu enigmatik Izet Haxhia. Prozatori erudit Xhevdet Shehu ka lindur në Mëhallën e Shehajve në fshatin Hekal të Mallakastrës. Nuk janë larg ullinjtë e atit të Xhevdetit ku vallëzon lumi i Vjosës. Poetin e ardhshëm e vinin në gjumë meloditë e Vjosës. Sipër Mëhallës së Shehajve është Bylisi. Aty për herë të parë Xhevdet Shehu pa detin. Jeta e tij drejt monopateve të artit ka qenë e mundimshme. Ka suksese, megjithëse ende nuk është ngjitur në majë. Kur ishte i vogël dhe kur u rrit ai dëgjonte dhe këndonte këngë labe. Por më shumë ka dashur këngën: “Në një kafene qëndrova”. Në kohën kur po thurja esenë për librin me personazh Izet Haxhinë, Sali Berishën e të tjerë pyeta se ku e shkroi këtë libër Xhevdet Shehu? Përgjigjen ma dha vargu i këngës: “Në një kafene qëndrova”. Pyeta hekalas për origjinën e kësaj kënge. Përgjigjet qenë të shumta. Nuk dihet se nga ka qenë shkretani i kësaj kënge? Natyrisht që shkretani e ka pasur një hall, një brengë e një dhimbje. Shkretani i dërrmuar ka dashur të ulet e të qetësohet e të mendohet për ta kapërcyer hallin. Ka kërkuar një vend që të mbledhë mendjen. Nuk ka ndalur nën hijen e ullinjve në Mëhallën e Shehajve, as në Rrepet e Poçemit e as në mëhallën, ku ka lindur Rrapo Hekali. Kënga këtë nuk e tregon. E mban misterin për vete. Ne nuk e dimë pse shkretani i dërrmuar nga drama thotë në fund të çdo strofe vargun: “Në një kafene qëndrova”. Po ku ka qenë kjo kafe? Poeti anonim nuk e rrëfen. Papërcaktueshmëria mbetet në universin e bukurive të Hekalit. Në galaksinë e Mëhallës së Shehajve gjen edhe sot “fjalë në të këputur -o”.

E tora fillin e gjalmit prushanë kaq gjatë, se pasi e lexova librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”, hulumtova se ku e shkroi prozatori Xhevdet Shehu këtë libër intrigues? Dhe mu përgjigjën se shumë fragmente janë shkruar në shumicën e herës në kafenenë, që në Tiranë njihet si “Kafja Agolli”. Dhe atëherë vetëtimthi solla në mendje vargun e këngës, që këndohej në odën e atit të Xhevdet Shehut:-  “Në një kafene qëndrova”. Shkretani pas udhëtimit të mundimshëm me një trastë me drama në kurriz në qerthullin e jetës ja merr këngës:-  “Në një kafene qëndrova”. Tek “Kafja Agolli” u sitë dhe u shkrua libri për të cilin po thuret dhe kjo ese letrare, që në fakt është një radigrafi e ashpër e realitetit tonë të hidhur, ku ligjin e bëjnë mendjet diabolike.

***

Libri i Xhevdet Shehut “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” është shkruar nga autori në rrethanat e një makthi të paparë. Në shtyp botoheshin intervistat e Izet Haxhisë nga larg. Prozatori tek punonte yrtet e këtij libri e në bisedat me perosnazhin qendror atij Izet Haxhia i kujtonte tregimin: – “Ç’lajme ke nga atdheu” të Heminguejt të përkthyer nga Ismail Kadareja. Shehu e shkruante librin nën një presion të madh. E kërcënonin e i bënin shantazh. Por “Ulliri i Hekalit”[këtë epitet i kishte vënë Xhevdet Shehut miku i tij Arshin Xhezo] ishte mësuar me këto gër – mëre. Edhe kur punonte tek “Zëri i Amerikës”. Çfarë nuk shkruan kundër tij? Por “Ulliri i Hekalit” qe i pamposhtur. Në kafen “Agolli” shkruante, prishte e ndreqte. Tek e qante figurën e Izet Haxhisë i hidhte sytë në një qoshe të kafenesë. Aty pronari kishte varur një gardelinë. Xhevdet Shehu i lodhur nga drama i thoshte zogut në kafaz: – “Izet! Mos u mërzit! Do të nxjerrim nga kafazi. Po nuk e bëri drejtësia do ta bëjë letërsia! Mitet kalojnë përmes shumë sprovave”.

Libri “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” nuk ishte i lehtë. Paçka se Xhevdet Shehu përpiqej si autor, që të ishte i paanashëm, qe e pamundur që të mos e nxirrte kokën uni i tij. Lexuesi e kupton që autori e merr në mbrojtje Izet Haxhinë. Për ta ai është një “Hamlet”, Dhe “Hamletit” i ka rënë mali i Shkelzenit mbi kokë. Shkrimtari tek e kopsit librin në çdo nyje mërmërit vargjet e Sheksipirit “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja”. Dhe vetë Xhevdeti përgjigjet: – “Izet ti duhet të rrosh!. Është e pamundur që të mos e fitosh pafajësinë!”

Eseja për librin në qarkullim të Xhevdet Shehut më duket i vështirë në rokaqiejt e një kohe të trazuar. Studiuesi Agim Vinca sa kishte botuar nga Shtëpia e Librit “Syth”në Prishtinë librin e tij “Dritë dhe mjegull” me parathënien time. Megjithëse e njihja veprën e Agim Vincës eseja që shkrova nuk më mundoi kaq shumë sa kjo për librin e Xhevdet Shehut. Kjo ndodh se vepra komplekse nuk merret vetëm me vrasjen e Azem Hajdarit. Në kapitujit e librit bëhet autopsia e shoqërisë shqiptare në këtë tranzicion të pambarimtë. Për personazhin e Izet Haxhisë ia vlen të realizohet një film me shumë seri. Të shkruhen libra të tjerë e të hapen ekspozita pikture. Në faqen 237 të librit lexojmë atë që ka thanë Izet Haxhia: “Tritan Shehu i thoshte Berishës që duhet të dërgosh avionët të bomardojnë Urën e Mifolit”.

Më ka tronditur fati i Izet Haxhisë me një inteligjencë natyrore ku lidhet besa me nderin. Sot ai është një burrë në gjëmë. Nëse Izet Hxhinë nuk e shpëton drejtësia atë do ta shpëtojë arti. “Kush e di?” thotë në një varg poeti Nazim Hikmet. Aq më turbullon fati i tij dhe i familjes së madhe sa që kur po plotësoja në Bibliotekën Kombëtare një kërkesë për të tërhequr një libër në vendin ku shkruhet emri dhe mbiemri i lexuesit unë nuk shkrova emrin tim, Sefer Pasha, por “Izet Haxhia”. Punonjësja e informacionit vuri buzën në gaz. Ajo më tha se po merresh me një njeri problematik. Ka rrezik ta futësh veten në telashe. Nuk ju përgjigja. Nuk ishte e para që ma thoshte këtë gjë. Por unë nuk mbroj personin misterioz të Xhevdet Shehut. Unë ashtu si autori i bëj të njohur lexuesit mundimet e një djali nga Malësia e Gjakovës, që po thinjet si mali i Shkelzenit. E mbajnë në burg padrejtësisht. Ai kërkon dritë.

Në Bibliotekën Kombëtare u takova me poetin Xhevahir Spahiu. Ai nuk vjen shpesh, por vjen rrallë e për mall. Biblioteka është po aq e dashur për të sa mali i Tomorrit për të cilin ai ka shkruar se mali i Tomorrit është “pronë” private e tij. Xhevahir Spahiu më gjeti me librin e Xhevdet Shehut në dorë. Ai më tha: “E mbarove librin numër dy për këtë që ke në dorë të  Xhevdet Shehut”. U habita. Nuk më tha a e mbarove esenë, por a e mbarove librin? Nuk e mora vesh se përse ma tha kështu. Mbase qe një e thënur ashtu kalimthi. Gjithsesi unë e mblodha veten. E kisha kaluar masën e esesë. Isha larguar nga Ujaniku i malit të Tomorrit e po ngjitesha drejt Çukës. Pa e kuptuar po shkruaja një libër tjetër duke zbërthyer kalvarin e trishtimit të figurës së Izet Haxhisë përballë Sali Berishës në kohët dramatike në Shqipëri.

Xhevdet Shehu megjithëse e ka skanuar mirë figurën e Izet Haxhisë ka lënë pa shkruar në vepër disa anë të botës së vet Izet Haxhisë. Personazhi i këtij libri nuk pati menduar që të bëhej milioner. Por jetoj me rrogën e një budigardi. Kur u bë katrahura i duheshin para. Por ai xhepat i kishte bosh. Nën hundën e tij kur qe në Presidencë bëhej kontrabanda e naftës, e cila me firmën “Shqiponja” furnizonte makinerinë e Millosheviçit. Izet Haxhia nuk e ngjeu gishtin. Në Qafën e Prushit udhëtonin si çakejt trafikantët e karburantit, të drogës, të lëndës drusore e të gjësë së gjallë. E megjithatë Izet Haxhia gjatë luftës së Kosovës ushqehej tek Rrasa e Zogut me konserva mishi e peshku.

Rradhitësi i kësaj eseje nuk e merr në mbrojtje Izet Haxhinë. Ai gjithashtu nuk ka asnjë njohje me Sali Berishën e as me Azem Hajdarin. Po ashtu nuk ka punë me drejtësinë. Atë e ka bërë për vete personaliteti i Izet Haxhisë. Ata që kanë bërë krime fshihen prapa diellit. Nuk ballafaqohen me ata që i kanë akuzuar. Me Izet Hxhinë ndodhi e kundërta. “Jam këtu” thotë ai. Kërkon të jetë i lirë e të shkojë në fshat në Babinë, që të vendos një kurorë me lule tek varri i të atit.

Izet Haxhia tani që vuan një dënim të padrejtë i kujtohet ati i tij. Kur ishte i vogël shkonte pas babës në bjeshkë në stanet me tufën e bagëtive. Në vjeshtë kur të dy bisedonin për gjëra të thjeshta në çastet kur nga shpati i malit shkëputeshin gur të vegjël, copëza dheu, tufa bari e pëndë shpendësh baba i thoshte të birit, Izetit: “Duhet të kthehemi në Babinë. Toka në bjeshkë po lëkundet sikur të bjer tërmet. Ajo nuk ka gojë, por po na paralajmëron. Nga minuta në minutë mundet të fillojë cikloni e të na përlajë me gjithë tufën e bagëtive. Tani i thinjur i kujton me dhimbje ato kohë dhe amanetet e të atit. Ka thënë se kur të dal nga burgu do të ngjitet atje në stanet e Haxhiajve. Dhe do pres vjeshtën kur të rrëzohen gurët e parë si krisma kallashnikovi. Po si do të veprpoj? Si dikur me ato që i ka thënë ati i vdekur. Edhe pse në udhën e madhe ka bërë gabime. Krime nuk ka bërë. Këtë kërkon.

Jeta e Izet Haxhisë nuk ka ndryshuar për mirë. Ai e parandien në intervistat e rrokjezuara që i jep Xhevdet Shehut. Por ende shpreson. Nuk është i vetëm. Në hekurat e burgut cicërijnë harabelat. Janë zogjtë e Babinës thotë Izeti. Në Babinë nuk mbillet as grurë e as misër e tërshërë. Dhe të gjithë zogjtë nuk kanë se çfarë të hanë. Kanë zbritur nëpër qytete. Zogjtë e Babinës të varur nëpër tela i japin shpresë Izet Haxhisë.

Kam pyetur e më kanë thënë se Izet Haxhia i drunjëzuar shkruan në burg. Por më tepër i pëlqen të dëgjoj tërthorazi tregime nga vendlindja. Kohët e fundit kishte dëgjuar një rrëfenjë që ja kishte treguar një babinas. Biznesmeni Bastri Ruka me origjinë nga Gjakova[jo shumë larg nga Babina] po ecte me të atin aty ku Drini i Zi del nga Liqeni i Ohrit. Në një moment babai i Bastri Rukës ndalon dhe zbret në fund të greminës, ku valët e Drinit të Zi marin të tatëpjetën. Bastri Ruka habitet. Çfarë bëre atje poshtë në humnerë i tha ai të atit? Hoqa një dërrasë që ishte e gjatë një metër. Dërrasa pengonte ujin e Drinit të Zi. Unë dua që asnjë pikë uji të mos pengohet udhës për në Fierzë. Liqeni të jetë plot e përplot. Të kemi drita.

Presidenca ishte bjeshka e Lumit të Gashit. Gurët e parë ranë që kur Kasëm Trebeshina pati deklaruar se “Fëmija paska lindur i vdekur”. Izet Hxhia gaboi. Duhet të qe larguar nga Berisha që kur ranë gurët e parë si dikur në bjeshkë dhe më vonë shkëmbinjtë. Në intervista fletë dhe për bëmat e mbrapshta të pamotivueshme. Atje në qelinë e burgut të padrejtë i kujtohet një detaj i jetuar me një dallëndyshe. Izet Haxhisë i kishte vdekur një kushëri. Të gjithë ishin mbledhur për mort. Izeti vështron një dallëndyshe. Ajo disa herë u fut në dhomën ku ishte i vdekuri. Njërin krah e kishte të lyer me gëlqere. Të zonjat e shtëpisë meqënse prisnin vdekjen e të zotit të shtëpisë i kishin lyer shtëpitë me gëlqere. Aty qe “ndotur” dhe krahu i dallëndyshes. Izet Haxhia u habit kur pa tek varri atë dallëndyshen me krahun e lyer me gëlqere. Fluturonte mbi kokat e njerëzve që merrinin pjesë në varrim. Edhe ajo varroste njeriun e saj të dashur.

Këtejpari këto detaje, që nuk përmenden në libër, flasin mjaftueshmërisht për karakterin e Izet Haxhisë me zellin ndër deje sikur të jetë një supermen. Lindi si një lis në bjeshkë, hodhi shtat mes plumbave e po thinjet në qeli duke patur fatin e një dragoi. Gjithsesi ai beson se pranvera është duke ardhur.

Koha ka rrjedhur si ato rrëketë e Babinës ku ka lindur. Por djaloshi i Babinës nuk është më ai i pari. Nuk është penduar për kthimin nga Turqia anipse në këtë qerthull e mundon thënia e Tolikienit, i cili ka thënë: – “Po sikur gjithçka e trishtueshme të dal e pavërtetë”. Gjithpoaq me një fill zëri në luftë me Sali Berishën Izet Haxhia po ecën mbi lëvozhgat e vezës. Natyrisht që e pret një vegim apokaliptik. Një bashkëvujtës në burg nga Labëria duke bilbilosur për mardhëniet e Izet Haxhisë me Sali Berishën i ka kujtuar atij proverbin lab – “I bëm të thata, na dolën të shtogta”. Dhe kështu ndodhi. Drama e Izet Haxhisë të rrethuar nga judat dhe hijenat rrok dimensione të ububushme me pika të harkuara. Edhe Jaho Saliu mbahet kot së koti në burg. Vrasësi është Fatmir Haklaj. Teatri ku ndodhi tragjedia është po aty. Harta e hajnave është plotësur disa herë. Janë bërë qindra skica me pozicionet ku kanë qëndruar ata që panë Fatmir Haklën tek vrau Azem Hajdarin. Ku është Izet Haxhia? Ku janë provat? Më gjeni një provë thërret Izet Haxhia? Si mundet të quhem unë vrasës kur ndodhem në Bjeshkët e Gjarpërit? Dhe testi më i mirë është koha që kalon në fije të perit. Pafajësia e Izet Haxhisë është kthyer mjaftueshmërisht në një hit në tërë këtë mozaik gjyqesh të tipit bizantin.

Për fat në rrugën “ Abdi toptani” ku u zhvillua tragjedia asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëm është ngritur një obelisk “më qafsh moj shegë” në kujtim të Azem Hajdarit. Por dhe atij kanë filluar t’ja heqin “patkonjtë”. Po çfarë ndodhi atë ditë të tmerrëshme? Një ekspert i pavaruar e sjellë “të gjallë” për lexuesit. Është një pamje sheksipriane. Në disa pika të caktuara është “ansambli” i cili shoqëron Fatmir Haklajn. Zbret nga selia e PD –së Azem Hajdari. “Cikllopi” Fatmir Haklaj çuditet. Po ky çdo këtu i thotë ai “ansamblit”?. Nuk ka kohë për të humbur. Në franksionet e sekondës nxiren armët. Fatmir Haklaj pëson akisdent. Ai e vret Azem Hajdarin. E të tjera.  Po ku ndodhet Izet Haxhia të cilin po e kalbin në burg? Në mes të “ansamblit” nuk është. Po ku ndodhet? Në krye të detyrës si roje i Sali Berishës. Sipas përllogaritjeve në 100 metra në periferi të vendit të ngjarjes nuk është parë. Nuk ka asnjë dëshmitar. Asgjë nuk është filmuar. Pas vrasjes së Azem Hajdarit skenari kundër Izet Haxhisë strehollohet si ai gjalmi i deshëve në Bjeshkët e Lumit të Gashit. Dhe skenari vijon seri pas serie. Triumfojnë jagot. Izet Haxhia dështon me mbrojtjen e tij. Në e shpëtoftë prozatori Xhevdet Shehu me librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”. Tani arti është e vetmja shpresë.

Jam përpjekur që portretin e Izet Haxhisë në librin e Xhevdet Shehut ta vizatoj me nota realiste. Pse ta fsheh? Izet Haxhia ka një kurajo dhe guxim si ato ciklonet që përplasen në malin e Sheklezenit, përballë Babinës. Por lajmet nën gur që më vijnë më thonë se personazhi i kësaj eseje e vuan dramën e tij. Dhimbja është familja. Gjthsesi Izet Haxhia në këtë betejë nuk është i vetëm. Ka miq në të gjithë planetin. Një nga këta miq është dhe gazetari Xhevdet Shehu. Në mëhallën e Xhevdetit në Shehaj të Hekalit edhe sot kur ka ndonjë mort miqtë që vijnë për ngushëllim u thonë të zotërve të shtëpisë një fjali proverbiale: “Të jeni vetë shëndoshë!”. Në odën me njëzetë apo tridhjetë burra dëgjohet përgjigja për atë që ngushëlloj. Përgjigja në kor është: – “Miqtë shëndoshë!”. Është një kor lab i lashtë sa bota. Dhe unë nëpërmjet këtij shkrimi i them Izet Haxhisë: Mos u tut!: “Miqtë shëndoshë!”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *