Ish-kryetari i bashkisë së Himarës Vasil Bollano ka rënë në prangat e policisë pasi aksidentoi ditën e djeshme një 17-vjeçar. Ky i fundit ka gjetur vdekjen në spitalin e Traumës në Tiranë, pas plagëve të marra.
Bollano ka qenë duke drejtuar mjetin e tij, në aksin Orikum-Llogara, kur ka aksidentuar të miturin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00. Ish-kryebashkiaku akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Njoftimi:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 66 vjeç, banues në Himarë.
Ky shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor Orikum-Llogara, në afërsi të fushës së sportit, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, banues në Dukat, i cili lëvizte në këmbë.
Si pasojë e dëmtimeve të marra 17-vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.