I biri i ish-policit të arrestuar para turmës: Këto barrikada s’janë vetëm shkaku i babait tim

Predrag Pantiq, i biri i ish-Policit të Kosovës, Dejan Pantiq, që është arrestuar për sulm terrorist dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ka falënderuar gjithë të pranishmit në tubimin.

Pantiq, ish-pjesëtar i MUP-it serb, akuzohet për sulm ndaj zyrave të komisionit komunal zgjedhor në veri, ku ishin sulmuar me shok-bomba edhe zyrtarët policorë dhe ata të KQZ-së.

“Këto barrikada nuk janë ngritur vetëm për shkak të babait tim. Babai im është pika e fundit në detin e lëvizjeve të njëanshme, arrestimeve dhe keqtrajtimeve të popullit serb. Ai ka jetuar gjithë jetën këtu, nuk ka asnjë të metë në karrierën e tij, asnjë njollë. Ai është fajtor vetëm sepse është serb”, tha Pantiq.

Ai thotë se ka 13-ditë që nuk ka kontakt me të.

“Pse nuk ja ofrojmë babait tonë të bëjë një telefonatë e të na thotë se është mirë dhe se ka terapinë që i duhet si pacient me sëmundje të zemrës. Pse nuk i lënë mbrojtësit tanë ta shohin shkurt dhe ta vizitojnë. Kjo është shkelje e të drejtave themelore të njeriut”, ka thënë Pantiq.

E nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, në Twitter ka postuar se si serbëve nga jugu i Kosovës i është ndaluar të shkonin për të marrë pjesë në tubim. Ai ka postuar një foto të një gjobe, ku thuhet se shoferi i autobusit është ndaluar dhe gjobitur pasi donte të dërgonte personat në tubim.

Një numër i konsiderueshëm i serbëve të veriut janë mbledhur në Rudar të enjten për të protestuar ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës që nxitën edhe dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore në nëntor.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *