Në vigjilje të Krishtlindjeve, Kryeministri Edi Rama ishte mes pacientëve të vegjël në Spitalin Pediatrik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në vijim, Kryeministri Rama shpërndau dhurata për vogëlushët që aktualisht po marrin trajtim të specializuar mjekësor në Spitalin e ri.
“Faza e dytë parashikon gjithë rehabilitimin dhe forcimin nga themelet të gjithë Pediatrisë së Përgjithshme ku janë 120 shtretër të mirëorganizuar dhe ku përfshihet shërbimi i dializës, pneumologjisë, pra të gjitha shërbimet që përfshin Pediatria e Përgjithshme. Kështu që, me fazën e dytë kompletohet i gjithë Korpusi i Spitalit Pediatrik këtu në QSUT. Është investim i buxhetit të shtetit, prej 6.6 milionë eurosh” – shpjegoi Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, teksa shtoi se është përmbyllur faza e parë e investimit me shërbime, të kirurgjisë, urgjencës dhe reanimacionit, të cilat janë me kapacitete maksimale.