Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it Lars Gunnar Wigemark. Zyra e kryeministrit bën me dije se në takim është diskutuar situata në veri të vendit. Në të morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Svecla.
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë. Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Takimi vjen një ditë pas incidentit me armë zjarri pranë një patrullë të KFOR-it në Zubin Potok. Misioni i NATO-s ka bërë thirrje që të gjitha palët e përfshira ‘të shmangin retorikën apo veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe mund ta përshkallëzojnë situatën’.