Ministri i Mbrojtjes në Serbi ka bërë të ditur se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Në një deklaratë të publikuar ditën e sotme, Millosh Vuçeviç u shpreh se ky vendim u mor me urdhër të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Ai bëri me dije se ushtria serbe do të ketë 5.000 ushtarë të trajnuar dhe të përgatitur me armët më moderne, të gatshëm “për të mbrojtur atdheun, për të kryer çdo detyrë në çdo kohë dhe në çdo pjesë të territorit tonë”.
Ky vendim vjen një ditë pasi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe pati një takim me presidentin e Serbisë dhe udhëheqjen ushtarake lidhur me ngjarjet në Kosovë.
Situata e tensionuar në veri të Kosovës vijon që nga muaji nëntor, pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç – i cili dyshohet për sulmin në zyrën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në veri. Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe qytetarësh serbë ngritën barrikada në kufi më 10 dhjetor.