Kriza e energjisë ka bërë që vendet të heqin dorë në disa raste nga politikat dhe objektivat e tyre të energjisë së pastër dhe uljes së ndotjes duke mbyllur njërin sy për shkak të kohëve jo të zakonshme që po kalojmë.
Shqipëria e cila gjithashtu është prekur nga kjo krizë në mënyrë të dukshme po kërkon format e saj të diversifikimit që nisin nga nxitja e energjisë diellore dhe të erës tek investimet në sektorin e gazit. Së fundmi listës duket se i është shtuar edhe një tjetër element që lidhet me zhvillimin e industrisë së qymyrit.
Prodhimi i qymyrit për vendin nisi në vitin 1978 deri në 1994 ku 3.5 milionë tonë u prodhuan në minierën e Valiasit.
Në një prezantim pranë Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kanë vënë theksin se rezervat e qymyrit në vend mbeten të larta dhe se kriza e energjisë mund të japë një nxitje për zhvillimin.
“ Për të plotësuar nevojat energjetike të vendeve të industrializuara, kërkesa botërore për qymyr është rritur dhe pritet të vijojë këtë rritje. Historikisht, rritja e kërkesës për qymyr ka qenë e lidhur me rritjen e kërkesës për energji elektrike, e cila është “motori” për rritjen e PBB-së.
Duke parë situatën e vështirë energjetike të vendit, vështirësitë e krijuara nga furnizimi i konsumatorëve me vetëm një burim energjie, nevoja për minerale qymyri do të rritet nisur nga fakti se depozitat e qymyrit në Shqipëri janë të përshtatshme pozicionet do të konkurrojnë me importet e qymyrit.
Gjithashtu theksojmë se riaktivizimi i këtyre minierave zbut në një masë të konsiderueshme problemet sociale, të cilat janë akute në ato zona ku ka depozita qymyri” do në nënvizonin përfaqësues të AKBN.
Po kështu në prezantim theksohet se bazuar në gjendjen ekzistuese të minierave dhe ekonomisë në tërësi, riaktivizimi dhe realizimi i prodhimit të mineralit të qymyrit është i nevojshëm sot për disa arsye.
“Disa degë të industrisë pritet të zhvillohen dhe përdorin qymyrin si burim energjie, si një material konkurrues në krahasim me materialet e tjera. Meqenëse minierat janë në pozicione të përshtatshme, ato do të konkurrojnë importet e qymyrit.
Përmirësimi i teknologjisë minerare dhe përfituese do të mundësojë prodhimi i qymyrit me cilësi më të mirë dhe me kosto më të ulët”.
Sipas AKBN në Shqipëri, rezervat e qymyrit, sipas projekteve të mbylljes janë rreth 130 milion ton. Ato gjenden në 3 burimet kryesore : rreth 86% e rezervave ndodhen në zonën e Tiranës; rreth 10% e rezervave ndodhen në zonën Korçë-Pogradeci; rreth 4.4% e rezervave ndodhen në zonën e Memaliajt./Monitor