Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që seanca për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin ose shkarkimin e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani të zhvillohet të hënën më datë 7 qershor.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë e dorëzoi kërkesën tre ditë më parë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pasi sipas argumentimit të bërë nga ILD, veprimet e gjyqtares diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit.
Njoftimi i ILD:
Kërkesa e Metanit për pezullim të menjëhershëm të magjistrates bazohet në nenin 152, pika 1 të ligjit 96/2016 për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, sipas të cilit “Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë …. diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit, sipas nenit 124, të këtij ligji, ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji.
Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra.”
Kujtojmë se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i kërkoi KLGJ shkarkimin nga detyra të magjistrates Kapedani, pas publikimit të videove në “Tik-Tok”, nga zyra e Gjykatës së Elbasanit.