Një paralajmërim ka ndodhur në momentin kur po zhvillohej operacioni i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të forcave speciale RENEA në shtëpinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. Gazetari Teodor Gjerga tregoi se përpara se të hynte në Fushë-Kuqe, një zonë që nuk depërtohej as nga mediat e zonës, as nga policia për shkak të dominimit nga bandat kriminale ishte përballur me disa efektivë të RENEA-s, njëri nga të cilët e kishte paralajmëruar duke e pyetur: E di se ku po shkon?!
“Një nga efektivët e RENEA-s në momentin që po futesha në zonë më tha: ‘E di se ku po shkon’. S’e identifikova dot se ishin të maskuar. Kjo fjali më mbeti në mendje: ‘E di ku po drejtohesh’, dhe më ktheu shpinën”- tregoi gazetari.
Teksa gazetari filmonte jashtë banesës së Martinajt, një banori i zonës i ka thënë: Ç’po kërkon të filmosh aty, kush të ka mbetur aty baba jot? Ik ore thyej qafën, na e keni sjellë në majë të hundës. Bastarda! Të *** Edi Ramën në ****.
Nga kamera nuk kapet personi që i sulet gazetarit, por vetë ai ka bërë me dije se nuk bëhet fjalë për asnjë familjar të të shumëkërkuarit Martinaj, por për banorët e zonës në Fushë Kuqe. Ai tregoi se Policia e Shtetit nuk kishte ndërhyrë në asnjë moment për të qetësuar situatën, duke i lënë si zgjidhje të vetme largimin prej vendit kur po kontrollohej banesa, duke e kufizuar edhe në kryerjen e detyrës.
Burimi: Euronews Albania