Mali i zi/Abazoviç: Nuk më shqetësojnë aspak mesazhet e Perëndimit

 

Kryeministri në mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, deklaroi se nuk shqetësohet për mesazhet e partnerëve perëndimorë, të cilët paralajmëruan mundësinë e ngrirjes së negociatave të Bashkimit Evropian me Malin e Zi, nëse shumica parlamentare formon një Qeveri të re, në bazë të ndryshimeve kontestuese të Ligjit për Presidentin.

“Për momentin, unë nuk jam shumë i ngarkuar me këtë”, u tha Abazoviç gazetarëve në Budva më 27 dhjetor.

Me iniciativën e Frontit Demokratik pro-rus, më 12 dhjetor shumica parlamentare miratoi amendamentet në Ligjin për Presidentin.

Me miratimin e këtij Ligji, kjo shumicë do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit Milo Gjukanoviç në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Më 26 dhjetor, deputetët e lëvizjes URA të Abazoviçit, Fronti Demokratik pro-Rus dhe Demokratët dorëzuan Gjukanoviçit 41 nënshkrime në mbështetje të kandidaturës së Miodrag Lekiçit për formimin e Qeverisë së Malit të Zi.

Ata i kërkojnë presidentit që të mbajë konsultime me partitë dhe të propozojë Lekiçin si kandidat. Nëse nuk e bën këtë, shumica parlamentare do të propozojë pasardhësin.

Këtë e mundëson Ligji i ndryshuar për Presidentin, i cili ia merr autoritetin kushtetues Gjukanoviçit për të emëruar një përfaqësues, sepse në shtator, për arsye formale, ai refuzoi t’i besonte Lekiçit mandatin për formimin e Qeverisë.

BE-ja ka bërë të ditur se negociatat me Malin e Zi mund të ngrihen nëse në bazëtë këtij ligji formohet Qeveria. Edhe SHBA-ja disa herë ka thënë se janë kundër hyrjes së Demokratik pro-Rus në Qeveri.

Mirëpo, Abazoviç tha se nuk e rëndojnë mesazhet nga perëndimi. Ai shtoi se “nuk është në interesin e askujt” që Mali i Zi të hyjë në “ndonjë keqkuptim ndërkombëtar”.

“Nuk pres që të ketë ndonjë keqkuptim të madh në nivel ndërkombëtar dhe as nuk mendoj se subjekti që unë përfaqësoj, por më duket se as subjektet e tjera, në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë ndonjë veprim për ta prishur atë”, tha ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Gjukanoviçi nuk inicon konsultime të reja për mandatarin e Qeverisë së re, Abazoviç tha se kjo do të thotë se kundërshtohet vullneti i 41 deputetëve, të cilët janë shumicë në Parlamentin malazez, i cili ka gjithsej 81 ulëse.

“Nëse ai mendon se do t’i sjellë ndonjë përfitim politik, le të vazhdojë, as nuk do të zgjasë shumë, mandati i tij gjithsesi po përfundon dhe së shpejti do të kemi një president të ri”, tha ai.

Ai nuk tregoi se kur pritet formimi i Qeverisë së re dhe shtoi se “nuk ka ndonjë marrëveshje të veçantë” me Frontin Demokratik pro-rus dhe se ende po diskutohet për përbërjen e kabinetit, qëllimet dhe parimet e Qeverisë së re.

Gjukanoviç ka nënshkruar dekretin me të cilin hyn në fuqi Ligji i kontestuar për Presidentin, por gjithashtu tha se nuk do të marrë pjesë në zbatimin e tij, sepse e konsideron atë jo-kushtetues.

Mendim negativ për Ligjin ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, organ këshillues i Këshillit të Evropës.

Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë për kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve, ka më shumë se tre muaj që nuk ka kuorum, sepse ka vetëm tre gjyqtarë nga gjithsej shtatë.

Që nga rënia e Qeverisë, Abazoviç është në mandat teknik që nga 20 gushti.

Kjo është Qeveria e dytë që bie në Malin e Zi, që nga ndryshimi i ekzekutivit në gusht të vitit 2020, kur fitorja e Frontit Demokratik pro-rus, Demokratëve dhe lëvizjes URA të Abazoviçit i dha fund mbretërimit tridhjetë vjeçar të Gjukanoviçit.

Gjukanoviçit i skadon mandati presidencial në pranverë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *