Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 56-vjeçarin nga Kukësi, Ibrahim El Salih (Lekica). Ai akuzohet për veprën penale të “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Lekica u bënte thirrje ndjekësve të tij që të përkrahnin “xhihadin”, shtetin Islamik të Irakut, personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore, si dhe kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Antiterrorit) dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal Nr.285/2021, në ngarkim të të pandehurit Ibrahim El Salih (Lekica), i akuzuar për veprën penale të “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, e parashikuar në nenin 232/a të Kodit Penal.
Referuar përmbajtjes së shkrimeve të publikuara nga ky i pandehur (duke filluar nga data 22.09.2021 e në vijim) nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, transkriptimit dhe përkthimit të videove nga gjuha e huaj (arabe) në atë shqipe, është arritur në konkluzionin se, postimet e kryera përmbanin elementë të konsiderueshëm të deformimit të koncepteve fetare, të propagandës ekstremiste dhe nxitëse të urrejtjes.
Nëpërmjet postimit të përmbajtjes së shkrimeve nga ana e të pandehurit manifestohen thirrje/ propagandë që të shtyjë personat lexues/ndjekësit e tij për të përkrahur luftën e shenjtë “xhihadin”, është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë, me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit shteti islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre, duke u solidarizuar me fitoren e luftëtarëve të shtetit islam të Irakut, ka mbështetur personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore, ka përkrahur mobilizimin e fëmijëve në akte të dhunshme, si dhe ka synuar nxitjen dhe ka bërë thirrje publike për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.