Polici Dejan Pantiç, i cili u arrestua më 10 dhjetor në Jarinjë dhe është ende në paraburgim, do të qëndrojë në arrest shtëpie. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e ‘sulmit terrorist’ të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Lirimi i Dejan Pantiqit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës, por kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar vendimin absurd.
“Kam dëgjuar se meqë ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemrën do mund të dërgohej në spital. Cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon?” – u shpreh Kurti në një deklaratë për mediat.
Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.