Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se lideri serb mendon se duhet të hiqen barrikadat në veri të Kosovës.
“Sapo i kemi përfunduar bisedimet me presidentin Vuçiç. Tani do të bisedojmë me njerëzit tanë në Kosovë. Morëm lajme të rëndësishme për lirimin e Pantiçit, Nedelkoviçit dhe të arrestuarve të tjerë, arritëm të lexojmë garancitë e Bashkimit Evropian se nuk do të ketë arrestime për pjesëmarrje në barrikada, si dhe garancinë e KFOR-it që siguria e Kosovës që FSK nuk do të vijnë në veri pa pëlqimin tonë. Presidenti Vuçiç mendon se është mirë që të hiqen barrikadat, por serbët nuk i besojnë qeverisë së Kurtit dhe as garancive ndërkombëtare, por vetëm Vuçiçit”, tha Rakiç.
Ndërkohë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.
“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviç.