Mbyllet sezoni parlamentar/ Nikolla: Respektoni të drejtat zakonore, fjala përkrah përgjegjësisë, akuza pranë faktit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla me rastin e mbylljes së sesionit parlamentar për këtë vit, ka uruar deputetët për kontributin e tyre.

Përmes një mesazhi, Nikolla iu bëri thirrje kolegëve të saj që të respektojnë të drejtat zakonore, ndërsa nënvizon rëndësinë se është rritur transparenca në shërbim të qytetarëve.

Mesazhi i Nikollës:
Me rastin e mbylljes së sesionit parlamentar dëshiroj t’ju falënderoj të gjithë Ju, deputetë të mazhorancës dhe opozitës, për kontributin Tuaj në debatin parlamentar të të gjitha përmasave, në ushtrimin e funksioneve dhe në veprimtaritë e Kuvendit të Shqipërisë.

Sesioni që sapo mbyllëm ishte një kohë punësh të rëndësishme për hartimin e akteve ligjore, për
kontrollin dhe monitorimin e qeverise dhe mbështetjen e institucioneve të pavarura. 16 seancat plenare, 85 mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe dhjetëra veprimtari të tjera parlamentare i kemi realizuar bashkërisht, në komunikim me njëri-tjetrin, ku ka mbizotëruar transparenca në rritje, si shërbim ndaj qytetarëve.

Në punën time të përditshme jam përpjekur t’i qëndroj besnike angazhimit tim për të qenë e paanshme, në mënyrë që të gjithë deputetët të gëzojnë hapësirat dhe aksesin në seancat plenare, në komisionet dhe veprimtaritë e tjera parlamentare sipas Kushtetutës dhe Rregullores. Kolege dhe kolegë të nderuar. Janë të mirëpritura debatet dhe mospajtimi midis shumicës dhe pakicës. Ato përbëjnë thelbin e demokracisë parlamentare. Kultura joetike dhe joqytetare e debatit është një shembull i keq për shoqërinë dhe, si e tillë, e papranueshme dhe e dëmshme.

I bëj apel ndërgjegjes suaj qytetare që në çdo debat të respektojmë kodet tona zakonore, kuvendet e odat shqiptare, të gjithë atë që ne e konsiderojmë traditë të vyer dhe krenohemi me të. Liria e fjalës është dhe do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cenohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë përkrah përgjegjësisë, akuza përkrah faktit. Me modesti Ju sjell në vëmendje maksimën e Papa Françeskut se moskontrolli i fjalëve të këqija sjell edhe moskontrollin e ndjenjave dhe shkakton një ndotje shumë më të madhe se ndotja e mjedisit.

Përfitoj nga rasti për të përsëritur urimin tim për një vit të ri të mbarë për vendin tonë të dashur, Shqipërinë, si dhe shëndet e gëzime në familjet Tuaja!

Sinqerisht,
Lindita NIKOLLA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *