Varrimi i Pelé , i cili vdiq dje në moshën 82-vjeçare, do të mbahet të hënën më 2 janar në stadiumin Urbano Caldeira – me nofkën Vila Belmiro – në Santos, Brazil . Ceremonia është planifikuar të fillojë në orën 10:00 (me orën lokale). Arkivoli do të transportohet nga spitali izraelit ‘Albert Einstein’ direkt në stadium dhe do të vendoset në qendër të lëndinë. Funerali do të bëhet të martën më 3 janar dhe do të paraprihet nga një procesion nëpër rrugët e Santos. Trupi më pas do të varroset në Nekropolin Ekumenik Memorial, pas një ceremonie private të rezervuar për familjen.
Santos, klubi për të cilin Pele luajti në Brazil, tha se publiku do të jetë në gjendje t’i bëjë nderimet e fundit ‘O Rei’ në stadiumin Vila Belmiro . Arkivoli i tre herë kampionit të botës do të vendoset në rrethin qendror të fushës, pasi të transportohet nëpër rrugët e Santos dhe të kalojë shtëpinë e nënës së tij 100-vjeçare, Celeste. Sipas mediave braziliane, gruaja në fakt nuk mund të ngrihet nga shtrati dhe nuk është e kthjellët. Në ceremoninë e varrimit do të marrin pjesë vetëm familjarët.
Presidenti brazilian Jair Bolsonaro ka dekretuar ndërkohë tre ditë zie në një dekret të botuar në Gazetën Zyrtare. “Është dekretuar zie zyrtare në të gjithë vendin, shenjë respekti pas vdekjes së Edson Arantes do Nascimento”.
Mes festimeve të shumta nga e gjithë bota, padyshim që nuk mund të mungonte ajo e Argjentinës, rivalit historik të Brazilit. Në mediat kryesore, Pelé kujtohet dhe nderohet, por duke shmangur që ta cilësojnë si më të madhin ndonjëherë. Këtë e kanë nënvizuar brazilianët e ‘Globoesporte’, që ka analizuar gazetat kryesore të vendit. “Në përgjithësi, shtypi argjentinas ka shkuar kundër valës së pjesës tjetër të botës dhe ka shmangur përcaktimin e Pelé si futbollistin më të madh në histori”, shkruan portali. “Gazetat, faqet e internetit, radio dhe TV në Argjentinë janë përpjekur ta veçojnë mbretin e futbollit si ‘një nga më të mëdhenjtë’, pa e vënë brazilianin para Maradonës apo edhe Messit , idhujt e vendit”.