Një dyqan me mallra industriale, në lagjen “Hajro Çakërri” të qytetit të Vlorës është djegur gjatë natës si pasojë e një zjarrvënie të qëllimshme. Biznesi figuron në pronësi të shtetasit 65-vjeçar Faraudin Veizaj. Autori dyshohet të jetë Qerim Mara, një 39-vjeçar banues në atë lagje, i shpallur tashmë në kërkim nga policia.
Mara dyshohet se ka tentuar të djegë edhe automjetin tip “Toyota”, po në pronësi të 65-vjeçarit Veizaj. Mjeti ndodhej në afërsi të banesës së pronarit. Si pasojë e flakëve ka vetëm dëme materiale.
Njoftim i policisë: “Qerim Mara në orët e para të mëngjesit, dyshohet se në lagjen ‘Hajro Çakërri’, Vlorë, i ka vënë zjarrin një dyqani shumice me mallra industrialë, në pronësi të shtetasit Faraudin Veizaj, 65 vjeç, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, në afërsi të baneses të shtetasit Faraudin Veizaj, ka tentuar të djegë edhe automjeti e markës ‘Toyota’, po në pronësi të këtij shtetasi.”
Faraudin Veizaj në dëshminë e tij, dhënë për policinë, është shprehur se nuk ka konflikte me njeri dhe se pret arrestimin e autorit për të kuptuar se çfarë po ndodh. “Nuk kam konflikte me njeri. Madje shumë herë kam ndihmuar nga dyqani im persona të tjerë që kanë pasur nevojë. pres të arrestohet autori nga policia për të parë se cili është shkaku i vënies së zjarrit në dyqan dhe automjet. Nuk e di se për çfarë mund të ketë ndodhur”– tha pronari i dyqanit.