Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme konferencën e fundit me gazetarët për këtë vit. Ai e konsideroi 2022, si vitin që shkatërroi përfundimisht sistemin e drejtësisë në vend. Ish-kryeministri Berisha ka komentuar ndarjen e PD-së duke thënë se nuk e ka përdorur asnjëherë për interesin personal. Ndërsa, përsa i përket bashkimit të opozitës, ai akuzoi kryeministrin se po përdor disa deputetë siç bënte me Bashën.
Ai shtoi se kryeministri Rama ka përdorur drejtësinë dhe bandat, për të zhdukur opozitën, por akuzoi edhe ambasasdoren e SHBA-së në vend. “Në këtë përpjekje do të nxi në historinë e turpit qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila në një akt madhor korruptiv kishte mashtruar qeverinë e vet për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës. Bëri gjithçka ti diktojë opozitës kryetarin e saj. Përdori abuzoi dhe shpërdori duke shkelur çdo ligj, çdo konventë ndërkombëtare për ti diktuar opozitës kryetarin. Por ky është viti i opozitës pasi asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve.” – tha Berisha.
Lidhur me festimet e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, Berisha u shpreh: “Nuk kishte kremtim më të padenjë se ai që organizoi guvernatorja Kim për 100-vjetorin. Falsifikoi në mënyrën më të paskrupullt 100-vjetorin e marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin që ata adhurojnë më shumë. U përpoq të manipulonte me çdo mënyrë vizitat e ish-personaliteteve, por që dështoi.”
Paketën e ndihmës ekonomike që po shprëndan qeveria, Berisha e konsideroi vjedhje. Ai u shpreh se qeveria duhet t’u jepte qytetarëve rrogën dhe pensionin e 13-të.