Një 50-vjeçar shqiptar, i cili kërcënoi ish-gruan e tij se do ta digjte me benzinë dhe më pas tha se do t’i vinte flakën vetes, është lënë në burg nga autoritetet greke. Ngjarja ka ndodhur natën e ndërrimit të viteve në sheshin qendror të Larisës, ndërsa ditën e djeshme ai kërkoi falje.
Mediat greke raportojnë se shqiptari ka mohuar akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa është shprehur: “Nuk kam dashur të dëmtoj askënd, madje as veten time”. Sipas tij e gjithë ngjarja ka ndodhur për t’i tërhequr vëmendje ish-bashkëshortes, e cila e ka injoruar dhe nuk i përgjigjet kërkesës së tij për të takuar fëmijën.
Shqiptari, i cili punon në ndërtim në shtetin helen, ka pritur ish-bashkëshorten e tij 41-vjeçare dhe ndërkohë që ajo parkonte makinën, ai e ka spërkatur me benzinë, duke e kërcënuar se do t’i vërë flakën. Sipas policisë, djali i tyre 17-vjeçar i cili ndodhej me të ka neutralizuar të atin, ndërsa nëna e tij është larguar dhe ka telefonuar policinë.
Më pas 50-vjeçari është larguar me biçikletë dhe ka shkuar në sheshin qendror ku ka kërcënuar se do të digjte vetën, por në këtë moment ka ndërhyrë policia dhe e ka arrestuar.