Një bandë e rrezikshme kriminelësh të specializuar në “përmbysjen” e trafikantëve të drogës është shpërbërë me arrestimin në Costa del Sol të shumë prej anëtarëve të saj. Mes të arrestuarve ishte edhe kreu i bandës, Fatbardh Dervishi/Doda, një shtetas shqiptar shumë i rrezikshëm, i kërkuar edhe në Shqipëri pasi dyshohet se ka qëlluar një grua.
Sipas mediave të huaja, Doda ndryshonte vazhdimisht pamjen e tij dhe qarkullonte me identitete të ndryshme false. Në Spanjë, ai është arrestuar nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikimit të dokumenteve, armëmbajtjes pa leje, trafikut të drogës, grupit kriminal. Organizata kriminale e kryesuar nga ai, maskohej me uniforma policie dhe kryente grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.
Dervishi akuzohet në Shqipëri se më 3 janar të një viti më parë, plagosi me armë zjarri 23-vjeçaren E. K. e prej atëherë rezulton i shpallur në kërkim. Ndërkohë disa ditë më vonë, në një emision në televizionin News 24, Dervishi u akuzua nga nëna e Tauland Malshit, të zhdukur në vitin 2018 në Spanjë, se kishte gisht në zhdukjen e të birit të saj. Nëna e të riut tregoi se ishte telefonuar nga shoku i tij i cili i kishte komunikuar se Fatbardh Doda i kishte thënë: “Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga.”