Për pjesën më të madhe të ekonomisë globale, viti 2023 do të jetë një vit i vështirë pasi forcat kryesore të rritjes globale – Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina – po përballen me dobësim të aktivitetit ekonomik sipas drejtoreshës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Ajo ka theksuar se viti i ri do të jetë më i vështirë se viti që lëmë pas sepse të treja ekonomitë e mëdha po ngadalësohen njëkohësisht.
Në tetor, FMN e uli parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2023, duke pasqyruar rënien e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë, si dhe trysnia e inflacionit dhe normat e larta të interesit të vendosura nga bankat qendrore si ajo e Shteteve të Bashkuara.
“Për herë të parë në 40 vjet, rritja e Kinës në 2022 ka të ngjarë të jetë në të njëjtin nivel ose më poshtë rritjes globale,” tha zyrtarja e FMN-së.
Në parashikimin e tetorit, FMN-ja e përcaktoi rritjen e produktit të brendshëm bruto në Kinë për vitin e kaluar në 3.2% – në të njëjtin nivel me parashikimin global të fondit për vitin 2022.