Gara e përvitshme e bërë tashmë një traditë e automjeteve 4×4 e njohur si “Rally Albania” do të nisë edhe këtë vit aktivitetin e saj, duke bërë që për disa ditë të përjetojmë emocione të vazhdueshme nga kjo sfidë automobilistike.
Edhe këtë vit, organizatorët e kanë përgatitur dhe sot do ta nisin atë me startin nga qyteti bregdetar i Vlorës, ku gjithçka është bërë gati për fillimin e këtij eventi.
Finishi do të jetë në datën 12 në Tiranë, pasi automjetet dhe motorët të kenë përshkruar një itinerar që do të kalojë nëpër mjaftë zona piktoreske të Shqipërisë.
Gara do të nisë me atë që njihet si Unaza e Jugut, për të dalë më pas në Shqipërinë Lindore dhe Veri-Lindore, për të bërë një ndalesë në qytetin e Pukës dhe më pas për të përfunduar në kryeqytet në datën 12, ku do të shpallet edhe fituesi i saj.
Edhe “Priza.al” i është bashkuar këtij aktiviteti sportiv dhe promovues të vlerave turistike shqiptare, duke bërë një pasqyrim hap pas hapi të të gjithë turit.
Nga organizatorët e saj, gara konsiderohet si një mundësi e artë e promovimit të turizmit që vjen pas një pandemie të gjatë.
/Priza.al/