Pesë teknologji njerëzore të frymëzuara nga natyra

 

Përgjatë miliona viteve, natyra ka evoluar duke prodhuar zgjidhje të ndryshme për t’iu përshtatur me një sërë sfidash. Ndërsa sfidat me të cilat përballet njerëzimi bëhen më komplekse, ne po shohim se frymëzimi po vjen gjithnjë e më shumë nga natyra.

Frymëzimi nga proceset biologjike, dhe zbatimi i tyre në zgjidhjen e problemeve teknologjike dhe të projektimit quhet bioinspirim. Ja cilët janë 5 shembuj të spikatur, ku natyra ka udhëhequr inovacionin njerëzor, dhe që në disa raste mund të çojë në zbulime të reja edhe më emocionuese.

1. Lundrimi

Duke përdorur ekolokacionin, lakuriqët e natës janë në gjendje të fluturojnë në errësirë ​​të plotë. Ata lëshojnë tinguj dhe valë me ultratinguj, pastaj monitorojnë kohën dhe madhësinë e reflektimeve të këtyre valëve për të krijuar harta hapësinore tredimensionale të ambientit përreth tyre.

Sensorët që identifikojnë pengesat gjatë lëvizjes mbrapa tek shumë makina sot, janë të frymëzuara pikërisht nga mënyra e orientimit të lakuriqëve të natës. Drejtimi dhe distanca e një pengese llogaritet duke lëshuar valë ultratingujsh, të cilat reflektojnë objektet në rrugën e një makine.

Teknologjitë e navigimit ndijor janë propozuar gjithashtu për të përmirësuar sigurinë e atyre që kanë një shikim të kufizuar. Sensorët e ultratingujve të instaluar në trupin e njeriut, do të ofrojnë reagime të bazuara tek zëri mbi ambientin përreth një personi. Kjo do t’i jepte atyre mundësinë të lëviznin më lirshëm duke eliminuar kërcënimin e pengesave.

2. Pajisjet e ndërtimit

Qukapikët çukitin mbi sipërfaqen e fortë të pemëve për të gjetur ushqim, për të ndërtuar fole dhe për të tërhequr partnerin. Mjetet e ndërtimit, si çekiçët hidraulikë dhe pneumatikë të dorës, imitojnë goditjen vibruese të një qukapiku, duke përdorur një frekuencë afërsisht të barabartë me goditjen e qukapikut mbi një pemë (20 deri në 25 Hertz).

Por dridhja e këtyre mjeteve elektrike, mund të dëmtojë duart e punëtorëve të ndërtimit. Në disa raste, të sëmurët përjetojnë mpirje dhe dhimbje të përhershme në duar dhe krahë. Tani studimet po shqyrtojnë se si qukapikët e mbrojnë trurin e tyre nga ndikimi i shpimeve të përsëritura.

Një nga studimet zbuloi se qukapikët kanë disa përshtatje që i amortizojnë tronditjet, të cilat nuk i kanë zogjtë e tjerë. Kafka e tyre është përshtatur të jetë shumë më e fortë, gjuha e tyre mbështillet rreth pjesës së pasme të kafkës dhe është e pozicionuar midis syve të tyre.

Kjo e mbron trurin e qukapikut, duke e zbutur ndikimin e goditjes me sqep nëpër pemë.Kërkime të tilla po frymëzojnë dizajnin e amortizuesve dhe pajisjeve të kontrollit të dridhjeve për t’i mbrojtur përdoruesit e pajisjeve të tilla. I njëjti koncept ka frymëzuar gjithashtu risi të tilla si strukturat me shtresa, të cilat amortizojnë goditjet për projektimin e ndërtesave.

3. Projektimi i godinave

Skallopët janë molusqe me një guaskë të jashtme të valëzuar në formën e një ventilatori. Forma zig–zag e tyre e forcon strukturën e guaskës, duke i dhënë mundësi t’i rezistojë presionit të lartë nën ujë. I njëjti proces përdoret për të rritur forcën e një kutie kartoni, me material letre të valëzuar që ngjitet midis dy shtresave të jashtme të kartonit.

Futja e një sipërfaqe të valëzuar e rrit ndjeshëm forcën e një materiali, ashtu si palosja e një copë letre në një formë zig–zag e lejon atë të marrë një ngarkesë shtesë. Struktura në formë kubi e guaskës së moluskut i jep mundësi të përballojë ngarkesa të konsiderueshme.

Kjo strukturë është vetë-mbështetëse, pasi e shpërndan peshën në mënyrë të barabartë në të gjithë formën e kupolës, duke e reduktuar ngarkesën në një pikë të vetme. Kjo gjë përmirëson qëndrueshmërinë e strukturës pa nevojën e trarëve përforcues të çelikut, dhe ka frymëzuar projektimin e shumë ndërtesave, duke përfshirë Katedralen e Shën Palit në Londër.

4. Aerodinamika e transportit

Peshkaqenët kanë dy pendë kurrizore, të cilat i ofrojnë disa avantazhe aerodinamike. Ato estabilizojnë trupin e peshkaqenit, që ai të mos rrokulliset në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa forma e tyre aerodinamike krijon një zonë me turbulencë të ulët pas tyre, duke e rriturefikasitetin e lëvizjes përpara të peshkaqenit.

Pendët e peshkaqenit janë kopjuar tek makinat e garave, që e përdorin për të reduktuar turbulencën kur pilotët udhëtojnë me shpejtësi të lartë, si dhe për të përmirësuar stabilitetin nëpër kthesa. Po ashtu jemi frymëzuar nga natyra edhe për rritjen e efikasitetit të fluturimit të avionëve.

Kështu krahët e bufit veprojnë si një sistem qëndrimi pezull; duke e ndryshuar pozicionin, formën dhe këndin e krahëve të tyre, ata janë në gjendje të zvogëlojnë efektin e turbulencës gjatë fluturimit. Dhe kërkimet mbi fluturimin e bufëve, mund të krijojnë mundësi për udhëtimin ajror pa turbulenca në të ardhmen.

5. Gremçat

Ky mekanizëm u frymëzua nga aftësia e ngjitjes së rrodheve pas veshjeve tona. Bimët i përdorin gremçat për të ngjitur bishtajat e farave me kafshët dhe njerëzit që kalojnë aty pranë,në mënyrë që të shpërndajnë farat në zona më të gjera. Njerëzit kanë krijuar gremçat të vegjël që ndërlidhen me sythe të vogla në materiale të buta.

Velcro e përsërit këtë duke përdorur një shirit të veshur me gremça së bashku me një shirit pëlhure. Kur shtypen mbi njëri-tjetrin, gremçat ngjiten nëpër sythe dhe lidhen fort me njëri-tjetrin. Velcro përdoret në një gamë të gjerë produktesh në mbarë botën. Sipas NASA-s, ai u përdor në hapësirë ​​gjatë misioneve Apollo gjatë viteve 1961–1972 për të rregulluar pajisjet në kushtet e zero graviteti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *