Kryeministri Edi Rama, e ka cilësuar sukses vitin që lamë pas përsa i përket vrasjeve të ndodhura në vendin tonë.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar një grafik ku krahas tij shkruan se ndryshe nga jehona shurdhuese që pasqyrohet në media, sot të dhënat tregojnë se numri i vrasjeve përgjatë 2022 ka qenë më i ulëti në tre dekadat e fundit.
“Fakt kuptimplotë që na jep një shembull flagrant të hendekut mes jehonës shurdhuese mediatike dhe realitetit të rënies së vijueshme të krimit. 2022 numri më i ulët i vrasjeve në tre dekadat e fundit. KUJTESË: Kur ne e nisëm përpjekjen kundër krimit vrasjet ishin 112 në harkun e një viti dhe si rregull mesatarja ishte 100 në vit. Normale, dihet që më e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund kurrë dhe nga ana tjetër, padiskutim, ka ende shumë për të bërë”, shkruan Rama.
Nisur nga ky postim, Priza.al sjell në vëmendje se gjatë vitit 2022 në 7 muaj kanë ndodhur 24 vrasje ku kanë mbetur 27 viktima, të cilat disa prej tyre nuk kanë ende një autor.
Më poshtë po përmendim disa prej tyre.
Pikërisht, një vit më parë më 4 janar të 2022-shit, 35-vjeçari Erion Çela, u ekzekutua në një lokal në rrugën “Don Bosko” në kryëqytet, vrasje kjo e zbardhur në tetor.
Më pas në prill të 2022-shit u vra me armë zjarri 55-vjeçari Nazmi Bandulla në lagjen ‘Partizani’ në Shkodër vrasje kjo ende pa autor. Kjo ngjarje e rëndë ishte paralajmëruar pasi disa kohë më parë viktimës i kishin vendosur tritol në makinën e tij.
Duke mos u larguar shumë nga diferenca kohore, Tirana tronditet nga një tjetër vrasje. Këtë herë viktimë e atentatit me tritol mbeti 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Por, si të mos mjaftonte me kaq, më 17 korrik Shqipëria ‘tronditet’ nga breshëria e dy kallashnikovëve që lanë të vdekur 3 të rinj. Viktimat e atentatit të Fushë-Krujës mbetën Brilant Martinaj (kushëriri i Ervis Martinajt), Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Mesa duket, për Shqipërinë nuk mund të kishte qetësi.
Vetëm pesë ditë pas ekzekutimeve në Fushë-Krujë, këtë herë rradhën për tu bërë pjesë e kronikës së zezë e kishte Miloti. Nga atentati i ndodhur pasditen e 22 korrikut mbeti i vrarë 28-vjeçari Klisman Preçi si dhe u plagos rëndë 46-vjeçari Ylli Brahimi, ngjarje kjo e paralajmëruar pasi 2 muaj më parë i riu ishte shënjestër e një atentati. Listës së krimeve të pazbardhura i shtohet edhe ekzekutimi i 22 korrikut.
Një tjetër ngjarje e rëndë e pazbardhur është edhe Ervis Martinaj (bosi i lojërave të fatit), fati i të cilit nuk bëhet ende i ditur.
Ky është kriminalitetit real në vend që vetëm Kryeministri Rama mund ta quajë sukses ndërkohë raportet ndërkombtare nxijnë për sigurinë e ulët trafikun e drograve dhe korrupsionit në instancat e larta./Priza.al