Chollet: Propozimi i BE-së për dialogun do të ketë në bazë njohjen reciproke

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për thelbin e propozimit të Bashkimit Evropian dhe jo të ndërmarrin masa, vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka folur për pritshmëritë për vizitën që do ta bëjë së shpejti në Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Chollet nuk ka dhënë detaje për atë se çfarë ka propozuar Bashkimi Evropian, por ka theksuar faktin që është e rëndësishme që energjitë diplomatike të mos shpenzohen për tejkalim të krizave por tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë.

“Shumë më tepër se që duhej nga energjia jonë, është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë”, është shprehur Chollet.

Megjithëkëtë ai ka thënë se rruga përpara e dialogut do të jetë e vështirë. “Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”, ka theksuar Chollet.

Duke folur për tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se është një lajm i mirë që barrikadat janë hequr dhe se pikat kufitare janë rihapur për qarkullim.

“Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqendruar tek kjo krizë, por tek dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon”, është shprehur Chollet.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize.

“Fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë. Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri”, ka theksuar Chollet.

Për Asociacionin e komunave më shumicë serbe Chollet ka thënë se është prioritet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”, ka thënë ai.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *