Besimtarët ortodoksë festojnë ditën e ujit të bekuar. Në Tiranë shumë prej tyre u janë drejtuar kishës mëngjesin e sotëm.
Epifania është festa e Ujit të Bekuar kremtuar në 6 janar në shumë vende ku traditë është që Bekimi i Ujit të bëhet në det, lumë apo liqen. Kur nuk është e mundur, bekimi bëhet në kishë. Epifani do të thotë “shfaqje e sipërme”. Festa quhet shpesh edhe Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit, si Bir hyjnor i Perëndisë.
Disa njerëz mendojnë se bekimi i ujit dhe praktika e pirjes dhe spërkatjes me të është një “paganizëm”, i cili ka hyrë gabimisht në Kishën e Krishterë. Por, ky ritual praktikohej nga Populli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe në Kishën e Krishterë ka një kuptim shumë të rëndësishëm dhe të veçantë. Të krishterët besojnë se që në kohën kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua nga cilësitë e saj të liga që kishin të bënin me vdekjen.
Në Durrës, ceremonia u zhvillua në portin detar në kalatën nr.4. Disa të rinj u hodhën në ujë, por kryqin e kapi 16-vjeçari Vasil Aleksi, i cili ia dedikoi xhaxhait të tij të larguar nga jeta.
Në Sarandë, besimtarët morën pjesë në meshën në Kishën e Shën Harallambit dhe më pas iu drejtuan shëtitores. Kryqi u hodh në bregdet, teksa të rinjtë sfiduan të ftohtin dhe u hodhën në ujë, me qëllim kapjen e tij. 22-vjeçari Andrea Baruta ishte i riu që arrit të kapte kryqin në ujë.
Në Berat, ishin 7 të rinj që u hodhën në ujërat e akullta të Osumit. Kryqi u kap nga 22-vjeçari Vasil Tapia, i cili uroi besimtarët. Ai u shpreh se ndihet i lumtur dhe uron të gjithë besimtarët në këtë ditë të bekuar.