Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane e mbylli javën në nivelin e 117.49 lekëve, në rritje me pothuajse 1.4 pikë krahasuar me të enjten dhe me afërsisht 4.3 pikë krahasuar me datën 28 dhjetor, kur Euro preku minimumin e saj historik prej 112.83 lekësh. Për një javë, Euro ka rifituar të gjithë terrenin e humbur në dy muajt e fundit dhe ka prekur nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit nëntor.
Sipas burimeve nga tregu, ringritja e shpejtë e Euros i detyrohet një rritje të papritur të kërkesës nga tregu në ditët e fundit të muajit dhjetor, sidomos nga bizneset. Agjentët e tregut hipotetizojnë se një ndikim të konsiderueshëm mund të ketë dhënë rritja e zakonshme, e përqendruar, e shpenzimeve publike gjatë muajit dhjetor.
Nga ana tjetër, ekspertët e tregut nuk përjashtojnë që rënia e Euros të lidhet edhe me blerje në vlera të mëdha nga korporata të veçanta. Përgjithësisht, lëvizjet forta në një kah në tregun valutor shqiptar ndodhin kur ka një kërkesë të madhe, të përqendruar në një periudhë të shkurtër kohore.
Parashikimet për kursin e këmbimit valutor ngelen subjekt i një pasigurie të lartë, edhe duke pasur parasysh zhvillimin e zgjedhjeve lokale në muajin maj. Vitet zgjedhore shoqërohen me rritje të shpenzimeve publike në muajt që paraprijnë zgjedhjet, që nënkupton më shumë ofertë leku në treg. Por, nga ana tjetër, historia ka treguar se në periudhat parazgjedhore ka një rritje të flukseve valutore nga burime informale. Kjo përkthehet kryesisht rritje të ofertës së Euros.
Në ditët e para të këtij viti leku po humbet terren me ritme të shpejta edhe ndaj valutave të tjera kryesore, duke filluar nga dollari amerikan dhe paundi britanik. Megjithatë, kjo reflekton forcimin e këtyre valutave ndaj Euros në tregje ndërkombëtare dhe nuk lidhet me zhvillimet në tregun e brendshëm valuator./ Monitor