Një konflikt i agravuar mes fqinjëve përfundoi në tragjedi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të qytetit italian Arezzo, ku një 57-vjeçar me origjinë shqiptare dyshohet se ka tentuar të ‘sulmojë’ me buldozer shtëpinë e fqinjit. Ky i fundit e ka qëlluar me çifte gjahu duke e lënë të vdekur.
Viktima i ka shkaktuar dëme të rënda strukturore dhe ka dëmtuar disa makina në pronësi të fqinjit italian, i cili tashmë është arrestuar nga policia për vrasje. Ai dyshohet se ka qëlluar nga dritarja e shtëpisë së tij dhe arma ishte me leje. Të paktën pesë të shtëna janë dëgjuar nga banesa e italianit, 4 prej të cilave përfunduan në trupin e 57-vjeçarit shqiptar.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndalur motorin e buldozerit, i cili kishte mbetur i ndezur dhe kanë detyruar njerëzit të largohen nga banesat e tyre. Arma dhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje u sekuestruan.