Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një nënë 32-vjeçare hodhi foshnjën e saj në lumin Kir.
Burime bëjnë me dije se djali kishte ardhur në jetë me 30 Dhjetor dhe ajo e ka regjistruar në maternitetin e Shkodrës pa atësi. Nga të dhënat paraprake, Orjana Gremi nuk rezulton me probleme të shëndetit mendor.
Mjeku Sajmir Selmanaj ka treguar se 32-vjeçarja është dërguar nga kolegët e punës në spital dhe se kanë qenë ata që e kanë bindur që të mos e linte fëmijën në jetimore.
“Me datë 30 dhjetor 2022 është sjellë nga kolegët e punës në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku nuk ka treguar se cili është shqetësimi i saj deri në momentin e shpërthimit të ujërave. Është sjellë në repartin e Gjinekologjisë dhe ka qenë e vetme. Që në momentin e parë, kemi pasur frikë se do ta linte fëmijën në maternitet.
Kemi njoftuar policinë dhe psikologun dhe gjatë gjithë kohës është asistuar nga psikologu. Lindja e saj ka qenë me datë 30 rreth orës 11. Lindja e saj ka qenë normale dhe pa asnjë problem shëndetësor. Kanë ardhur kolegët e punës ku ajo ka punuar në një fabrikë këpucësh, të cilët i kanë sjellë dhurata dhe lekë dhe e kanë bindur që të mos e linte fëmijën në jetimore por ta mbante. Me datë 4 ajo ka bërë daljen nga spital ku pasi ka kryer të gjitha procedurat ka marrë dhe çekun e bonusit të fëmijës të firmosur. Është larguar me taksi nga spitali dhe nga ai moment nuk dimë gjë më tepër. Dimë se nuk ka dashur të tregonte emrin e babait të fëmijës. Ndërsa sa i përket gjendjes shëndetësore të saj dhe të foshnjës gjatë gjithë kohës ka qenë e mirë”, ka thënë mjeku.