Senad Halluni, drejtori i maternitetit të Shkodrës ka folur para mediave lidhur me ngjarjen e rëndë, të ndodhur ditën e djeshme ku një 32-vjeçare hodhi në lumin Kir foshnjën e saj 6 ditëshe.
Halluni u shpreh se e reja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së foshnjës, ndërsa ka shtuar se fillimisht ka kërkuar dorëzimin e tij në shtëpinë e foshnjës, por se ka ndërruar mendje më pas.
“Ky është rast atipik për shoqërinë tonë. Sa i takon shërbimit të maternitetit Shkodër, mund t’ju shpjegoj që zonja ka ardhur në datën 30, është shtruar, ka qenë lindja e parë. Janë kryer të gjithë procedurat dhe në pranim është një filtër që ne regjistrojmë atësinë e fëmijës. Zonja ka refuzuar ta shkruajë atësinë e fëmijës dhe që këtu nisi vëzhgimi rreth saj. Kemi protokoll për këtë proces që sigurisht kryesorja është mosneglizhenca nga ana mjekësore, pastaj zonja ka refuzuar dhe ka shprehur dëshirën që të fillojnë procedurat për ta dorëzuar në shtëpinë e foshnjës. Duke qenë se ishte data 31 dhjetor, njoftuam drejtorinë e shtëpisë së foshnjës që të nisnin procedurat. Në këtë moment futet në ndjekje të afërt nga psikologia, e cila ka kryer procedurën standard, një vlerësim të gjendjes psikologjike e sociale të zonjës që është dokumentuar në kartelën klinike.
Më 31 dhe 1 kam qenë vetë mjek në shërbimin 24 orë dhe mesa kemi mundur të festojmë për vete, jemi mundur dhe për zonjën e të tjerë që ishin në materniteti, jemi munduar t’i gëzojmë. Zonja ka punuar në një ndërmarrje të këpucëve në Shkodër dhe disa shoqe të saj erdhën për ta parë duke i sjellë rroba, dhurata bashkë me personelin. Me datën 1,2,3 ka qenë pushim dhe me datën 4 kanë nisur procedurat për t’u transferuar në shtëpinë e foshnjës. Atë datë ka refuzuar që ta dorëzojë dhe sipas protokollit që kemi, ka nënshkruar një deklaratë që marr përsipër marrjen e fëmijës në gjendje normale dhe në kushtet e një vlerësimi që është bërë nga psikologia që ka qenë në normalitet. Është dorëzuar fëmija dhe zonja, ka dalë nga materniteti dhe nga ky moment ne nuk kemi kontakt më tutje. Në spital nuk është paraqitur asnjë nga familjarët e saj”, tha Senad Halluni.