Seksioni i Posaçëm në Prokurorinë e Tiranës ka nisur hetimet për origjinën e parave të ish-zyrtares së lartë në Kryeministri, Alda Klosi. Shtetases i’u grabitën 120 mijë euro, para dhe bizhuteri ,në banesën që kishte marrë me qira në “Rrugën e Kosovarëve” në kryeqytet.
Klosi ka bërë denoncimin në polici më datë 15 dhjetor, pasi ka kuptuar që paratë i mungonin në banesë.
Autorë të ngjarjes dyshohet të jenë Rozeta Dobi, që këshilltarja e kishte punësuar si pastruese, dhe djali i saj Havier Dobi. Ditën që hynë në banesën e Alda Klosit, nënë e bir pasi morën shumën e konsiderueshme të parave bënë rrëmujë banesën për tu dukur sikur ishte një grabitje nga persona të tjerë. Në banesë dyshohet se kanë hyrë përmes një kopje të çelësit që Alda Klosi i kishte dhënë për të hyrë për të pastruar banesën.