Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi ditën e sotme se Rusia duket se e ka të paqartë se cilat rajone në Ukrainë përbëjnë një kërcënim më të madh për trupat e saj. Ndërkohë që luftimet kanë vazhduar edhe në fundjavë pavarësisht nga armëpushimi 36-orësh të shpallur nga Moska. Zona ku po zhvillohen luftimet më intensive është qyteti i Bakhmutit.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, duke iu referuar të dhënave të zbulimit, Ministria britanike e Mbrojtjes shkroi: “Mënyra se si Rusia ka punuar në përmirësimin e mbrojtjes tregon që komandantët rusë janë të shqetësuar me rrezikun e sulmeve ukrainase në dy zona: në rajonin verior të Luhanskut, ose në Zaporizhia”.
“Vendimi se cilit prej këtyre kërcënimeve i duhet përparësi”, thuhet në raport, “është një nga dilemat qendrore për planifikuesit operacionalë rusë”. Kjo sipas zbulimit britanik është tregues i dilemave me të cilat po përballen trupat ruse.
Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke nisur një luftë që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona ukrainas, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të vendit. Me armë dhe mbështetje financiare nga aleatët e saj, Kievi ia ka dalë të sprapsë Rusinë nga një pjesë e territorit të saj, por beteja të ashpra po zhvillohen në lindje dhe jug të Ukrainës.