Në Iran , një numër i madh njerëzish u mblodhën jashtë burgut Rajaeishahr në qytetin Karaj pas raportimeve për ekzekutimin e mundshëm të dy protestuesve të rinj të dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protestat e vazhdueshme në vend. Në një video të postuar në internet, njerëzit thërrasin “çdo protestues që vritet, mijëra do ta zëvendësojnë” dhe “atdheu ynë nuk do të shpëtohet, nëse mullahët nuk vdesin”. Në video dëgjohen të shtëna me armë zjarri nga policia.
Ndërkohë, tre persona të tjerë janë dënuar me vdekje për vrasjen e pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Isfahan gjatë protestave që vijojnë prej gati 4 muajsh. Saleh Mirhashemi Baltaghi, Majid Kazemi Sheikhshabani dhe Saeed Yaghoubi Kordsofla u akuzuan për “sulm të armatosur terrorist” dhe se kishin qëlluar dhe vrarë tre anëtarë të forcave të sigurisë, siç raporton Irna. Ata u dënuan me vdekje për “Muharebeh” (armiqësi kundër Zotit) për “minim të sigurisë së vendit” duke përdorur armë dhe duke udhëhequr një grup kriminal. Në të njëjtin rast është dënuar me 26 vite burg edhe futbollisti Amir Nasr Azadani.
Më 7 janar, autoritetet lokale ekzekutuan dy burra të tjerë të akuzuar për vrasjen e një anëtari të Basijit paraushtarak (të integruar në Korpusin e Gardës Revolucionare iraniane). Muajin e kaluar, Majidreza Rahnavard, 23 vjeç, u var në publik pasi u dënua nga një gjykatë në Mashhad (në veri-lindje të vendit) për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë. Katër ditë më parë, Mohsen Shekari , gjithashtu 23 vjeç, ishte ekzekutuar për plagosjen e një pjesëtari të forcave të sigurisë.
Republika Islamike ka qenë skena e protestave që kur Mahsa Amini , një kurde iraniane 22, vdiq më 16 shtator pas arrestimit të saj në Teheran nga policia e moralit, e cila e akuzoi atë për thyerjen e kodit të veshjes që u imponon grave grave të veshin shami.