Bashkëshorti i pastrueses që vodhi 120 mijë euro: “Ministri i Drejtësisë më tha që do të bëj çmos ta lirojmë djalin”/ Reagon Manja

Ministri i Drejtësisë ka reaguar pas deklaratave të bashkëshortit të pastrueses Rozeta Dobi, i cili deklaroi se Ulsi Manja i kishte premtuar se do të bënte çmos që t’i lironte djalin nga burgu.

“Sot kam qëndruar gjithë ditën me ministrin e drejtësisë. I kam treguar për ngjarjen e më tha do të bëjmë çmos që djalin ta lirojmë por gruan jo. I thashë gruan çojeni më tej Stambollit. Djali nuk ka faj, e ka mësuar e ëma. I kishim në rregull të gjithë gjërat. Djali shkonte punonte natën” – u shpreh Spartak Dobi në një intervistë për EuroNews Albania.

Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, ministri Manja ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se nuk e ka takuar kurrë dhe nuk e njeh Spartak Dobin dhe as familjarët e tij.

Postimi:

“Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë.

Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar.

Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi pasur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike.

E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë.

Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *