Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian (BE) ka konfirmuar se tashmë kanë filluar konsultimet me vendet anëtare lidhur me aplikimin e Kosovës për statusin kandidat.
Ambasadori suedez Lars Danielsson ka theksuar se konsultimet e para po bëhen me ato vende të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Jemi duke u konsultuar me shumë vende për të parë se si do të vendosim për këtë kërkesë”, tha Danielsson në prezantimin e prioriteteve të presidencës suedeze, e cila filloi më 1 janar dhe do të zgjasë deri më 30 qershor të këtij viti.
“Ne kemi pesë shtete që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që unë të konsultohem fillimisht me ta. Tashmë jemi takuar me disa prej tyre dhe po vazhdojmë takimet”, theksoi ai.
Duke mos dashur të paragjykojë rezultatin e bisedimeve për aplikimin e Kosovës, Danielsson vlerësoi se vendimi për dhënien e statusit kandidat Kosovës është çështje procedurale dhe politike.
“Është një vendim procedural, por ka një rëndësi të madhe politike, nuk dua të paragjykoj rezultatet e konsultimit, por sapo të shoh se po ndërtohet një konsensus mes vendeve anëtare, do t’i informoj se si do të Ne kemi dy alternativa: t’ia dorëzojmë ose të mos dorëzojmë (mandatin) Komisionit Evropian. Ne po punojmë me shumë vullnet për këtë dosje”, tha Danielsson.
Sipas procedurës së rregullt, kur një vend aplikon për statusin e kandidatit, shtetet anëtare vendosin me konsensus nëse do t’i japin dritën jeshile Komisionit Evropian (KE), i cili më pas fillon hartimin e një opinioni nëse vendi e meriton statusin e kandidatit.
Kosova ka dorëzuar një kërkesë për status kandidat më 15 dhjetor 2022.
Edhe pse zyrtarisht ka një perspektivë të garantuar evropiane, aplikacioni i Kosovës është i veçantë duke pasur parasysh se jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së e trajtojnë Kosovën si shtet.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Pesë shtete anëtare të BE-së – Spanja, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia – nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në mënyrë që Komisioni Evropian të marrë mandate për të hartuar një opinion për aplikacionin e Kosovës, është i nevojshëm një konsensus i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Në procedurat e Unionit ka dallim në mes unanimitetit dhe konsensusit, i cili në rastin e Kosovës mund të jetë thelbësor.
Vendimi unanim nënkupton që të gjitha shtetet anëtare duhet të deklarohen në favor të një vendimi të caktuar në mënyrë që ai të miratohet.
Nga ana tjetër, konsensusi konsiderohet se ekziston nëse asnjë vend nuk flet kundër tij dhe nuk është e nevojshme të shprehet një po.
Për ata që mbrojnë vazhdimin e procedurave përkatëse për Kosovën, konsensusi është formula e shpëtimit, sepse konsiderohet sukses nëse pesë shtete binden të mos flasin kundër, duke mundësuar kështu vazhdimin e procedurave.