Vjedhja e shtëpisë së ish-zyrtares, Rama ‘piketon’ Klosin: Llum i veshur me kostum! T’u shkohet deri në fund historive me para të pista

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vjedhjen e qindra mijëra eurove të kryera nga nënë e bir në shtëpinë e Alda Klosit, ish-drejtoreshë e kabinetit të ish-zv.ministrit Arben Ahmetaj.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se forcimi i institucioneve ligjzbatuese po nxjerr në pah edhe llumin e administratës publike duke iu drejtuar kështu Klosit për burimin e dyshimtë të parave që iu gjetën në shtëpi. Sipas tij, fakti që këto raste bëhen publike tregon se mburoja e vjetër politike ka rënë. Më tej ai shton se këtyre rasteve që duhet t’i shkohet deri në fund dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!

E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!

Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”, shkruan Rama.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *