Gazetarja Klodiana Lala ka treguar në detaje kronologjinë si janë grabitur mijëra euro në shtëpinë e ish-zyrtares së shtetit, Alda Klosi por, edhe dyshimet për shumën e mëdha të parave që u gjetën në shtëpinë e pastrueses së saj, Rozeta Dobi, një pjesë e të cilava nuk dihet kujt i përkasin.
E ftuar në News24, Lala u shpreh se ngjarja e ka zanafillën në 15 dhjetor të vitit 2022 kur policia është informuar nga Klosi e cila pretendonte se ishte vjedhur banesa e saj. Më tej ajo sqaroi se ka qenë vajza e Alda Klosit, e cila ka konstatuar se dera e shtëpisë ka qenë hapur. Pas kësaj ish-zyrtarja ka bërë denoncimin në polici.
“U desh një pastruese dhe kapja e saj për të dëshmuar atë që është thënë prej kohësh që në banesat e zyrtarëve të ndryshëm mbahen shuma të mëdha parash që nëse vidhen nuk i denoncojnë sepse nuk i justifikojnë. Ngjarja e ka zanafillën në 15 dhjetor të vitit 2022 kur policia është informuar nga Klosi e cila pretendonte se ishte vjedhur banesa e saj. Vajza e saj e mitur kishte konstatuar që dera ishte e hapur, Klosi u njoftua nga ajo dhe ka bërë denoncimin, në deklaratën që ka dhënë shprehet që janë vjedhur 120 mijë euro dhe disa bizhuteri floriri. Në momentin që ka ngritur dyshimet te pastruesja që kishte 5 vite aty ajo tha se ajo mund të ketë lidhje me ngjarjen, kur është pyetur pastruesja ka mohuar gjithçka.
Po ashtu Lala thotë se disa funksionare kanë pranuar se bizhuteritë e gjetura në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi janë të tyre, por askush nuk ka pranuar shumë e parave mbi 400 mijë euro.
Sipas saj, SPAK duhet t’i ofrojë Rozeta Dobit statusin e bashkëpunëtores dhe ajo të tregojë se ku janë marrë ato para.
“Disa nga bizhuteritë e gjetura janë të personalizuara, kanë iniciale, kanë data të martesave. Unë mund të japë detaje duke ruajtur anonimatin, përderisa nuk ka denoncime nga ana e tyre, por deri tani kanë vajtur 5 persona dhe disa prej tyre janë funksionarë që kanë pranuar që disa nga bizhuteritë u përkasin atyre. Por kjo shumë parash nuk dihet kujt i përket. Sepse deri tani që flasim nuk ka patur asnjë denoncim. Në momentin që ka ndodhur ngjarja, policia i ka sekuestruar Rozeta Dobit celularin dhe aty ka parë kontaktet dhe pronarët e banesave ku ajo pastronte. Në këto momente disa prej tyre kanë qenë të disponueshëm dhe kanë vajtur në polici dhe kanë deklaruar që kjo bizhuteri më përket mua, por kanë mohuar shumën e parave. Çështja që shtrohet është janë të gjitha të zonjës Klosi, apo janë të personave të tjerë që duke mos i justifikuar nuk e deklarojnë vjedhjen. Kjo është pjesë e hetimit. SPAK ka deklaruar sot që po ndjekur me vëmendje raportimet mediatike. SPAK duhet ti ofrojë Rozetat Dobit statusin e bashkëpunëtores dhe ajo të tregojë. 120 mijë euro janë të Alda Klosit, pjesa tjetër janë pa pronar.
Në dosjen hetimore thuhet se për pjesën e dytë të parave dyshohet që ju përkasin personave ku Dobi punonte si pastruese. Raportimet e fundit flasin për llogari bankare. Nëse realisht do ketë shuma aq të mëdha sa po flitet çështja mund të ndryshojë dhe niveli i përfshirjes së saj do kalojë në një nivel tjetër”, sqaroi Lala.