Kryebashkiaku Erion Veliaj vizitoi sot kantierin në lagjen ‘5 Maji’ për të parë ecurinë e punimeve të godinave të banimit dhe të infrastrukturës përreth. 150 familje që mbetën pa shtëpi pas tërmetit, do të akomodohen në tre pallate të tjera ku kanë përfunduar.
“Sot kemi përfunduar edhe tre godina të reja, kurse e katërta është në përfundim e sipër. Janë 150 apartamente për të cilat do të hidhet shorti i radhës, ku do të strehohen edhe 150 familje të tjera. Më vjen mirë që ka filluar edhe ndërtimi i institucioneve publike që do të vijnë këtu, si tatimet, taksat, apo edhe hipoteka e legalizime” – u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë, i cili përshëndeti edhe disa prej qytetarëve që janë transferuar tashmë në lagjen e re, tha se ndihet i lumtur që zona po merr jetë e që më në fund.
Veliaj apeloi qytetarët: “Kini besim! Bashkëpunoni me skuadrën tonë që po shërben, disa në ndërtim, disa te njësia, disa duke bërë supervizimin dhe inxhinierinë, sepse vetëm kur bashkëpunojmë mund të ecim përpara. Asfalti nuk është as socialist, as demokrat. Kur shtrohet ua bën mbarë rrugën të gjithëve, u rritet vlera e pronës”.
Tirana është më e madhe se të gjithë ne, shtoi Veliaj, dhe për disa vota më shumë apo më pak, bllokimi nuk është rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje.