Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë.
“I akuzuari H.P është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 6 (gjashtë) muaj si dhe dënimin unik me gjobë në lartësi prej 42.000 (dyzet e dy mijë ) euro të cilën shumë i akuzuari është i obliguar që ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas njoftimit thuhet se konform nenit 374 paragrafi 3 të KPRK-së, amët dhe atë një pistoletë të tipit “Girsan” të kalibrit 9 mm, me dy karikator si dhe 166 fishek të të njëjtit kalibër, si dhe një pushkë gjuetie të tipit ‘’Super Campion’’ si dhe 55 fishek, i konfiskohen.
“Pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e përfituara me veprën penale Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike në vazhdimësi nga neni 262 paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës së Kosovës, në vlerë të përgjithshme prej 2,528.715.34 euro, konfiskohen”, thuhet në njoftim.
Palët e dëmtuara lidhur me kërkesën pasurore juridike udhëzohet në kontestin e rregullt civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.