Tre shtetas të cilët kultivonin dhe shisnin lëndë narkotike tip kanabis sativa janë arrestuar nga Policia e Lushnjes. Ata dyshohet se bënin pjesë në një grup kriminal. Në automjetin me të cilin udhëtonin janë gjetur disa doza kanabisi të bëra gati për shitje. Kontrolle janë bërë edhe në banesën e njërit prej të arrestuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike tip kokainë si dhe 71 fidanë narkotikë.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “First step”.
Goditet një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Kultivonin bimë cannabis sativa, shisnin në doza kanabis dhe kokainë, vihen në pranga 3 shtetas.
Të 3 shtetasit u kapën në flagrancë duke qarkulluar me automjet, me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza të gatshme për shitje.
Sekuestrohen 71 fidanë narkotikë, 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celulare.
Në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për disa shtetas të cilët, të organizuar në formën e grupit, shisnin lëndë narkotike, në qytetin e Lushnjës, si dhe si rezultat i provave të siguruara nga hetimi i kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Lushnjës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “First step”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit S. L.(S)., 28 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, Lushnjë, V. M., 33 vjeç., banues në fshatin Toshkëz dhe E. H., 37 vjeç, banues në fshatin Gjazë, Lushnjë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë, teksa qarkullonin me një automjet, me sasi lëndësh narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të gatshme për shitje. Nga provat e siguruara si rezultat i hetimeve, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtaritë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe të shitjes në doza, të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në qytetin e Lushnjës.
Gjatë kontrolleve fizike të tyre, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. L.(S)., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, 71 fidanë narkotikë, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celulare.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të tjerë të implikuar në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.