Dy shqiptarë, 30 dhe 44 vjeç kanë rënë në prangat e policisë kroate pasi iu gjetën 11.35 kilogramë heroinë të fshehura në automjetin tip ‘Audi’ me të cilin po lëviznin. Ata u ndaluan paraditen e 10 janarit pasi dyshoheshin për trafik lëndësh narkotike. Mediat kroate shkruajnë se heroina ishte e ndarë në 20 pako dhe ishte fshehur në një pjesë të modifikuar nën ndërruesin e marsheve. Si drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri u arrestuan dhe u konstatua se ata synonin të transportonin heroinë nga Shqipëria në tregun e Evropës Perëndimore.
Gjithashtu një tjetër shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane të dielën e 8 janarit, ndërsa në shtëpinë e tij u gjetën mbi 900 doza kokainë. Lëvizjet e dyshimta të shqiptarit, bënë që policia ta ndalojë për kontroll. Atij iu gjetën 295 euro dhe 4 palë çelësa, dy të banesave dhe dy të makinave. Në njërën prej makinave iu gjetën 19 mbështjellës kokaine me peshë 81 gram dhe një peshore elektronike. Më pas atij iu getën në bodrumin e banesës ku jetonte edhe 878 mbështjellës të tjerë kokaine me peshë totale 365 gram.