Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka vijuar sërish takimet me deputetë të grupit parlamentar të demokratëve.
Siç duket nga pamjet e siguruara nga tvklan, paraditen e sotme Salianji u pa të ngjitej në selinë blu, aty ku u takua kolegë të tij të tjerë deputetë. Mes tyre edhe “të përjashtuarit” nga Enkelejd Alibeaj, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.
Nuk dihet ende se deri ku ka arritur me mbledhjen e firmave por, duket qartë se po synon që të rrëzojë Enkelejd Alibeajn nga detyra e kreut të grupit parlamentar.
Planin për këtë lëvizje të radhës e ka hedhur gjatë një interviste të dedikuar atij si “personalitet” dhe kokë më kokë, pikërisht në Televizion Publik Shqiptarë në emisionin e “Pa Censurë” të Elona Meços.
Lëvizja e Ervin Salianjit për të shkarkuar Alibeajn dhe për të marrë drejtimin e grupit parlamentar të demokratëve ka nisur që në muajin dhjetor. Në përpjekjen e tij të parë, Salianji arriti të sigurojë 21 firma deputetësh brenda dy kampeve të demokratëve. Por pas përjashtimit që Alibeaj i bëri katër deputetëve, Tritan Shehu, Belind Këlliçi, Oerd Bylykbashi dhe Agon Shehaj, Salianji rinisi bisedimet për të marrë mbështetjen e një deputeti të vetëm që i nevojitet për ta shkarkuar Alibeajn.